Lajme

Delegacioni i Iranit vendos barrierë për ‘ringjalljen’ e marrëveshjes bërthamore


Bisedimet bërthamore me Iranin në Vjenë kanë hasur në pengesa të reja.

Burime mediatike pranë delegacionit negociator iranian, të kryesuar nga Ali Bagheri Kani, thanë se kushti i ri lidhet me sanksionet e vendosura nga Shtetet e Bashkuara ndaj Iranit në prag të rifillimit të bisedimeve bërthamore.

Sipas burimeve, këto sanksione “mund të kenë efekte negative dhe t’i komplikojnë më tej bisedimet në vazhdim”.

Të mërkurën e kaluar, Thesari i SHBA-ve lëshoi sanksione të reja për nëntë individë dhe katër entitete, për përfshirjen e tyre në shkelje të të drejtave të njeriut.

Midis tyre ishte edhe komandanti i forcave Basij të IRGC, Gholamreza Soleimani.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane u përgjigj se shtimi i “sanksioneve nuk do të krijojë një efekt të fortë dhe kjo nuk tregon asgjë, përveç seriozitetit dhe qëllimeve të mira”.

Ndërkohë, Britania ka kërcënuar se do të vendosë sanksione të reja ndaj Iranit nëse negociatat prishen, raportoi të shtunën gazeta britanike “Daily Telegraph”.

Një ditë më vonë, sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss, paralajmëroi se “ky është shansi i fundit për Iranin që të angazhohet në negociata”.

Sipas gazetës britanike, Londra po përgatit një sërë opsionesh për sanksione që mund t’i rivendosë Iranit, duke përfshirë sanksionet ekonomike që ishin në fuqi përpara marrëveshjes bërthamore.

Në fund të pjesës së parë të raundit të shtatë, delegacioni iranian paraqiti dy drafte shtesë, për të cilat kërkoi që të përfshiheshin në draftin ekzistues.

Propozimi iranian “befasoi” vendet perëndimore, sepse refuzon shumicën e asaj që ishte rënë dakord në raundet e mëparshme me ish-delegacionin iranian të kryesuar nga Abbas Araghchi.

Zyrtarët perëndimorë konsideruan se dy draftet e reja nuk mund të përbënin bazën për përfundimin e negociatave, por ata ranë dakord t’i diskutonin ato në thellësi.

Kreu i delegacionit negociues rus, ambasadori Mikhail Ulyanov, në Twitter shkroi se diskutimet po vazhdojnë për dy dokumentet e dorëzuara nga Irani, duke shtuar se së shpejti do të merret një vendim nëse do t’i “pranohen, ndryshohen ose refuzohen ato”.

2015-2018

Nën udhëheqjen e Barack Obamës, në vitin 2015, SHBA-të dhe Irani nënshkruan një marrëveshje bërthamore, me garantë të saj vende, si: Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Rusia dhe Kina.

Dy pikat thelbësore ishin ulja e pasurimit të uraniumit nga ana e Iranit dhe heqja e disa sanksioneve perëndimore ndaj republikës islamike.

Marrëveshja do të funksiononte për tre vjet. Por, me ardhjen në Shtëpinë e Bardhë të ish-presidentit Donald Trump, rrjedha e ngjarjeve do të ndryshonte.

Vetëm një vit pas marrjes së postit, në 2018-ën, Trump e tërhoqi Amerikën nga pakti. Ai riktheu sanksione të fuqishme ndaj Iranit dhe zyrtarëve të lartë atje.

Një luftë e vërtetë diplomatike nisi mes dy vendeve.

Aq sa paramendohej se mund të kishte një konflikt real midis dy shteteve historikisht rivale.

Tonet e ashpra vijuan deri në ndërrimin e pushtetit në SHBA.

Në janar 2021, Joe Biden u bë president. Faqja e diplomacisë amerikane ktheu rrjedhë.

Zotimi i qartë: Vëmendja jonë është marrëdhënia e mirë me çdo shtet të botës.

Në çështje, ishte edhe rikthimi i mundshëm i Washington-it në marrëveshjen e 2015-ës. Mirëpo, bisedimet, pas edhe një krize të madhe mes dy vendeve, nuk ishin të thjeshta.

Të njëjtët aktorë, që u bënë “dëshmitarë” të marrëveshjes, filluan angazhimin për nisjen e tryezave të përbashkëta të ndërmjetësuara.

Një e tillë nuk është arritur ende. Gjithsesi, ka pasur nuanca dhe përpjekje, me tryeza të veçanta komunikimi mes partnerëve dhe dy vendeve të përfshira drejtpërdrejt.

Pushteti në Iran ndërroi po ashtu fytyrë këtë vit.

Ebrahim Raisi u bë president, pikëpamjet e të cilit janë edhe më radikale ndaj amerikanëve, në krahasim me paraardhësin Hassan Rouhani.

Mbetet për t’u parë nëse zhvillimi i fundit i pasurimit të uraniumit nga ana e Teheranit, do të sjellë një ulje të mundshme në tryezë të dy palëve.

Marrë nga “Asharq Al-Awsat”, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore