Lajme

Deklarohet “Milloshi i ri” në Serbi: Barrikada në rrugë nëse Vuçiç pranon propozimin, është akt i lartë tradhtie


Millosh Jovanoviç

Millosh Jovanoviç, lideri i partisë serbe të ekstremit të djathtë – Partia e Re Demokratike e Serbisë (DSS) – tha se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, duhet ta refuzojë propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Nëse s’e refuzon, tha ai për portalin KoSSev, Vuçiç hap dyert për njohjen e Kosovës nga Serbia mbi pretendimin se ai vetë nëse do të ishte president do të refuzonte “pesëshen e madhe” – diplomatët evropiano-amerikanë që vizituan Beogradin më 20 janar.

“Nëse serbët kanë vendosur të nxjerrin veten jashtë historisë dhe të mos jenë komb – unë do të bëj çmos që kjo të mos ndodhë – Kosova do të njihet më pas nga Serbia, serbët do të reduktohen në një pashallëk të Beogradit”, tha ai.

Jovanoviç shtoi se po qe se Serbia e pranon propozimin për marrëveshje me Kosovën, ai dhe partia e tij do të luftojnë “me të gjitha mjetet institucionale dhe joinstitucionale”.

“Shumë e qartë – në rrugë dhe në barrikada. Popull, po flasim për Kushtetutë, veprime antikushtetuese. Le ta përkthejmë serbisht – tradhti, dikush thotë se është tradhti e lartë”.

Në të njëjtën kohë, ai theksoi se janë disa masa shtesë që do t’i ndërmerrte në rast se Beogradi pranon propozimin evropian dhe se për disa prej tyre mund të flasë publikisht, por për disa jo.

“Të firmosë heqjen dorë nga një pjesë e territorit të tij? Epo, ai u betua për të kundërtën. Si çdo kryetar shteti edhe ai është betuar mbi Kushtetutë – nuk e bën dot, nuk e lëmë ta bëjë”, përfundoi ai.

Kujtojmë se kjo parti ka hapur zyrë edhe në Kosovë, gjegjësisht në Mitrovicën Veriore të banuar me shumicë serbe dhe në hapje, Jovanoviç kishte deklaruar se “askush nuk guxon të mendojë për ta dorëzuar Kosovën, djepin e Serbisë”.

Madje, ai u ka thënë simpatizantëve të tij, që ishin të pranishëm në hapje të zyrës, se ai e di rrugën “drejt kthimit të Kosovës brenda Serbisë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore