Shqipëria

Deklarata e Tauland Bicës për Albanian Post: Vaksina nuk prish agjërimin, masat të nevojshme edhe këtë vit


Ramazani, muaji i adhurimit dhe faljeve myslimane ka filluar. Ndërkohë, pjesa më e madhe e botës është goditur nga një valë e re e Covid-19, duke kufizuar lëvizjet.

Ramazani është periudha më e rëndësishme për besimtarët myslimanë. Për ata do të thotë se ka ardhur çasti për agjërim, adhurim dhe bamirësi.

Gjatë kësaj kohe, njerëzit mblidhen për faljet, rreth vakteve festive për të prishur agjërimin e tyre gjatë gjithë ditës, kafenetë e shumta dhe shkëmbimin e vizitave.

Disa vende po vendosin kufizime të reja. Por, shqetësimi mbetet i lartë, pasi ritualet e zakonshme të muajit mund të shkaktojnë një rritje të mëtejshme.

Afganistani po ua lë besimtarëve që të kujdesen për njëri-tjetrin, të mbajnë distancën e tyre dhe të qëndrojnë larg nga xhamitë nëse ndihen të sëmurë.

Të shtunën e 10 prillit, Irani filloi një lockdown 10-ditor, me shkakun e një rritjeje të infeksioneve, pas një feste publike dyjavore për Novruz, Vitin e Ri Persian.

Çfarë po ndodh në Shqipëri?

Që nga e hëna e 12 prillit në Shqipëri u lirua më shumë fasha orare, pas deklaratës së të dielës nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu. Ky njoftim përkon me fillimin e muajit të Ramazanit për besimtarët myslimanë shqiptarë.

“Normalisht që, duke sjellë në vëmendje vitin e kaluar, ka qenë situatë më e vështirë në krahasim me këtë vit, sa u përket të panjohurave edhe midis ekspertëve shëndetësorë për virusin”, thotë fillimisht për Albanian Post nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë (KMSH), Tauland Bica.

KMSH-ja po ashtu ndërmori masa, në lidhje me aktivitetet fetare në 2020-n. Përfshirë dhe muajin e Ramazanit, që rastisi në fillim të situatës së Covid-19, masat qenë po ashtu rigoroze.

Xhamitë u mbyllën për disa muaj, aktiviteti fetar u ndërpre.

“Imami kishte për detyrë që të hapte xhaminë e të thërriste ezanin. Mungesa e ezanit ka lënë një histori të hidhur në kujtesën e shqiptarëve. Nuk donim që një situatë e këtillë të ripërsëritej”, vijoi Bica.

Sakaq, këtë vit, nisur dhe nga vaksinimi i një pjese të mirë të moshave më të rrezikuara, por edhe për arsye se njerëzit janë më të ndërgjegjshëm në respektimin e masave, Bica tha se kufizimet do të lehtësohen.

“Këtë vit, masat e KMSH-së në lidhje me aktivitetin fetar të muajit të Ramazanit nëpër xhamia janë shumë të lehtësuara. Të gjitha aktivitetet do të bëhen normalisht, vetëm me disa ndryshime. Për shembull, faljet e namazit bashkërisht në xhami. Nëse më parë zgjaste për një periudhë kohore nga 1 orë e gjysmë ose 2 orë, këtë vit pritet të jetë 40 minuta ose një orë maksimumi”.

Sipas Bicës, Ramazani ka dy elemente dinamike në përditshmërinë tonë, namazet e përbashkëta në xhami dhe iftaret e përbashkëta.

Sa u takon iftareve, ai shton se janë konsultuar me myftitë apo imamët të çdo xhamie në Republikën e Shqipërisë dhe besimtarët janë këshilluar që të organizohen në grupe të afërta, shoqërore ose familjare apo ndër besimtarë.

Një nga këshillat, sipas Bicës, është shmangia e grumbullimeve në restorante apo bare: mund të shihen ambientet e jashtme nëse restoranti i disponon.

Inokulimi i vaksinës Covid-19 te besimtarët myslimanë

Të shumtë janë udhëheqësit fetarë myslimanë, përfshirë Arabinë Saudite, që po përpiqen të bindin besimtarët për inokulimin e vaksinës Covid-19 gjatë Ramazanit, duke thënë se bërja e saj nuk nënkupton prishje të agjërimit.

“Vaksina përmban dy elementë, mjekësinë dhe teologjinë. Elementi që i përket aspektit teknik të mjekësisë është që nuk ka në përbërje elementë ushqyes, sepse sipas Urdhrit që kemi ne, rregullat e mbajtjes apo prishjes së agjërimit janë që nuk duhet të përdorësh elementë ushqyes”, sqaroi Bica.

Ai thotë se, duke u nisur nga kjo, mjekët dhe ekspertë të ndryshëm kanë dalë në përfundimin që vaksina nuk i përmban këto elemente, pra nuk është një serum me veti ushqyese.

“Vendimi i ekspertëve mjekësorë është marrë parasysh nga studiuesit e teologjisë myslimane dhe duke u bazuar në vendimin e mjekëve, bërja e vaksinës nuk cenon agjërimin”, theksoi Bica.

Një person, sipas tij, i cili agjëron, nëse i vjen radha për vaksinën mund ta bëjë dhe nuk cenohet agjërimi.

Në përmbyllje të fjalës së tij, nënkryetari i KMSH-së, Tauland Bica, uron të gjithë besimtarët myslimanë dhe ata që nuk munden dot të agjërojnë:

“Ky është muaji i mirësisë hyjnore, i faljes, i amnistisë totale. Me premtimin e Zotit se kush agjëron me bindje, me besim të plotë, se unë do t’u fal gjynahet njerëzve, atëherë ato do t’i falen. Të gjithë besimtarët me këtë bindje agjërojnë për të tejkaluar sprovat fizike. Kjo bindje na shtyn që t’i besojmë fjalës hyjnore më shumë dhe ta zbatojmë urdhrin e tij, kështu që ta shfrytëzojmë në maksimum këtë periudhë kohore kaq të vlefshme”.

“Ndërsa për personat, të cilët, për arsye të ndryshme nuk e agjërojnë këtë muaj apo bëjnë edhe agjërim të pjesshëm, ata që agjërojnë Natën e Kadrit apo gjysmën e muajit Ramazan, duke mos anashkaluar çdo mirësi që përfiton edhe nga ajo natë, i ftoj të bëhen pjesë e kësaj amnistie totale, e kësaj fjale apo premtimi hyjnor”.

“Muaji i solidarizimit, i humanizmit, muaji ku njerëzit, sidomos besimtarët, nxjerrin në pah anën e tyre njerëzore. Ramazani na fton aq më shumë që këtë muaj të bëhemi më njerëzorë dhe të përvetësojmë këto vlera të larta. Le të bëhemi bujarë njësoj si bujaria e Profetit Muhamed”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore