Lajme

“Defender Europe ’23”: Staroviç denoncon SHBA-të dhe shtetet pjesëmarrëse për “shkelje të rëndë” të Rezolutës 1244


Nemanja Staroviç

Kosova është nikoqire e stërvitjes më të madhe ushtarake ndërkombëtare “Defender Europe 2023”, por për Sekretarin e shtetit serb në Ministrinë e Mbrojtjes, Nemanja Staroviç, dislokimi i forcave të tjera të armatosura në Kosovë paraqet “shkelje të rëndë” të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Staroviç pretendoi se misioni paqeruajtës i NATO-së në Kosovë (KFOR) është e vetmja forcë ushtarake që mund të dislokohet ligjërisht në territorin e Kosovës, prandaj siç vlerësoi ai, Shtetet e Bashkuara, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kroacia dhe Turqia e shkelën Rezolutën 1244, pasi janë pjesëmarrës në këtë stërvitje.

“Jo vetëm që vendet pjesëmarrëse në ushtrim që mbahet në territorin e Kosovës nuk morrën pajtim nga autoritetet kompetente të Serbisë, por githashtu nuk patëm informacione që pëlqimi i nevojshëm i komandantit të misionit të KFOR-it është dhënë për hyrjen e tyre në territorin e provincës jugore serbe”, tha Staroviç.

“Sipas dispozitave të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të vetmet forca ushtarake që mund të dislokohen ligjërisht në territorin e Kosovës janë njësitë e misionit të KFOR-it, prandaj ‘Defender Europe 23’ paraqet shkelje të rëndë të Rezolutës 1244”, shtoi ai.

Ndryshe, stërvitja më e madhe ushtarake në rajonin e Ballkanit Perëndimor sivjet po mbahet në Kosovë, e cila do të zgjasë nga 21 maji deri me 2 qershor. Nga kjo stërvitje e përbashkët, shtetet krijojnë gatishmërinë dhe ndërveprueshmërinë mes Shteteve të Bashkuara, NATO-s dhe vendeve aleate.

Përveç Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, trupa nga Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Çekia, Danimarka, Estonia, Franca, Gjeorgjia, Gjermania, Greqia, Hungaria, Italia, Mali i Zi, Holanda, Maqedonia e Veriut, Polonia, Rumania, Sllovenia, Spanja, Suedia dhe Mbretëria e Bashkuar marrin pjesë në “Defender 23”.

Stërvitja ushtarake “Defender Europe” daton që nga periudha e Luftës së Ftohtë, në vitin 1952, nga Danimarka dhe Norvegjia. Në stërvitjen e parë ishin përfshirë 200 anije dhe mbi 50 mijë ushtarë. Ajo ishte kryer me disa faza.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore