Shqipëria

“Defender Europe 21”, Peleshi pret gjeneralin amerikan


Forcat e Armatosura (FA) në Shqipëri po vijojnë përgatitjet për të mikpritur “Defender Europe 21”, e cila është një nga stërvitjet më të mëdha të ushtrisë amerikane në Evropë.

Më 3 shkurt, për të parë nga afër përgatitjet, vendin tonë e vizitoi zëvendëskomandanti i Ushtrisë amerikane në Evropë dhe Afrikë, gjeneralmajor Joseph F. Jarrard. Ai u prit nga Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi.

Ministri Peleshi e siguroi gjeneralmajor Jarrard-in për gatishmërinë e të gjitha strukturave të shtetit shqiptar, me qëllim realizimin me sukses të stërvitjes “Defender Europe 21”.

Peleshi e konsideroi zhvillimin e stërvitjes në vendin tonë si një shenjë e qartë e besimit të SHBA-së ndaj popullit shqiptar.

“Angazhimi për zhvillimin me sukses të kësaj stërvitjeje në territorin tonë është jo vetëm angazhim ushtarak e politik, por edhe një moment i rëndësishëm për qytetarët e këtij vendi. Shqipëria si vend aleat në NATO, ndihet e vlerësuar për faktin se i është besuar detyra e vendit mikpritës për një nga stërvitjet më të mëdha ushtarake të SHBA-së në Ballkan dhe në Evropën Veriore e Qendrore”, deklaroi Peleshi.

Ministri theksoi se kjo stërvitje është jo vetëm një mundësi e rrallë përsa i përket sfidës profesionale që mbart për Forcat tona të Armatosura.

“Ajo është një akt besimi dhe vlerësimi për vendin tonë”, theksoi ministri.

Në stërvitja “Defender Europe 21” do të marrin pjesë rreth 6 mijë trupa dhe qindra mjete ushtarake nga SHBA-ja, Shqipëria dhe vendeve të tjera aleate. Ajo do të zhvillohet në bazat kryesore ushtarake të vendit tonë në maj të këtij vitit 2021.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore