Lajme

Debati për Vettingun – Përplasen Haxhiu e Tahiri


Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe ish-ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri

“Ne do të vazhdojmë punën drejt materializimit dhe finalizimit të procesit të Vettingut”.

Kështu është deklaruar Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duke shtuar se Vettingu do të implementohet duke u bazuar në rekomandimet e Koncept Dokumentit si dhe në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar.

Haxhiu përmes një statusi në Facebook iu është përgjigjur kritikave të ish-ministrit të drejtësisë, Abelard Tahiri, në lidhje me procesin e Vettingut.

Pasi ky i fundit kishte deklaruar se reagimi i Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani ndaj raportit të progresit të Komisionit Evropian për çështjen e Vettingut është e turpshme dhe se qeveria aktuale e Kosovës nuk ka as ide e as formulë për këtë proces.

“Kur lexon atë që ka shkruar (Abelard Tahiri), është për keqardhje që i njëjti, ka qenë Ministër i Drejtësisë. Nëse lexohet Koncept-dokumenti për Vetingun (që dyshoj të jetë lexuar nga Tahiri), vërehet qartë rruga që do të ndiqet për zhvillimin e procesit të Vetingut, duke mundësuar një verifikim të tërësishëm të subjekteve të vetingut dhe duke ndërtuar mekanizma të cilët bëjnë verifikimin/vlerësimin e vazhdueshëm të tyre”, ka shkruar Haxhiu.

ish-ministri i drejtësisë, Abelard Tahiri

Ditë më parë ishte publikuar raporti vjetor i Komisionit Evropian për Kosovën, ku mes tjerash thuhej se Kosova është ende në fazat fillestare të luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar, dhe qëndron dobët sa i përket përgatitjes së një sistemi të Vettingut.

Mirëpo me këtë konstatim nuk ishte pajtuar Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila kishte thënë se si Presidente inkurajon institucionet që të vazhdojnë këtë proces.

“Komisioni Evropian konstaton se rivlerësimi i menjëherë i gjyqtarëve paraqet një burim shqetësimi serioz. Si presidente nuk pajtohem me këtë konstatim. Mungesa e vettingut do ishte shqetësim serioz e jo përmbushja e këtij procesi.”, është shprehur ajo.

“Komisioni Evropian konsideron se vettingu do duhej të ishte masë e fundit dhe e jashtëzakonshme pasi të jenë shteruar të gjithë mekanizmat, edhe ky konstatim është i gabuar sepse mekanizmat ekzistues janë këta për vite të tërë dhe kanë rezultuar joefektiv”, shtoi presidentja Osmani.

Koncept Dokumenti për Zhvillimin e Procesit të Vetting-ut në Sistemin e Drejtësisë

Gjyqtarët dhe prokurorët e Kosovës pritet t’i nënshtrohen procesit të Vetting-ut.

Përmes tij, brenda pesë viteve synohet të bëhet verifikimi i dijes së tyre, i integritetit etik dhe i pasurisë.

Sipas Koncept Dokumentit për Zhvillimin e Procesit të Vettingut në Sistemin e Drejtësisë, i cili është votuar të mërkurën nga Qeveria e Kosovës synohet të forcohet sundimi i ligjit.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore