Lajme

Debati për krizën energjetike në Kosovë shtyhet për të martën


Kuvendi i Kosovës.

Thirrja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për debat në Kuvendin e Kosovës lidhur me krizën energjetike është shtyrë për të martën e 28 dhjetorit.

Mocioni që debati për krizën energjetike të shtyhet kaloi me 79 për, dy kundër dhe dy abstenime.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri u shpreh se janë dakorduar që kjo pikë të jetë e para në vazhdimin e seancës të së martës.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.
Opozita nuk voton marrëveshjet ndërkombëtare, shenjë proteste ndaj pushtetit

Po ashtu, mosvotimi i marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend nga partitë opozitare, ka bërë që të ketë përplasje mes Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe në anën tjetër me Lëvizjen Vetëvendosje.

Shefi i Grupit Parlamentar nga radhët e PDK-së, Abelard Tahiri, është shprehur se nuk po arrijnë konsensus me mazhorancën, ndërsa një gjë të tillë e kërkoi.

“Ju nuk jeni të gatshëm për asnjë moment të tregoni konsensus me opozitën. Ne s’kemi bërë asgjë më shumë e as më pak sesa që e kemi respektuar rregulloren. Unë ju kërkoj në vitin 2022 mos të jetë vit i njëjtë i kësaj logjike mbi të cilën e keni udhëheqë mazhorancën në këtë kuvend. Kërkoj konsensus më shumë me opozitën”, ka thënë Tahiri.

Ndërkaq, Arben Gashi i LDK-së e ka quajtur absurd reagimin e shefes së GP të VV-së, Mimoza Kusari – Lilës ndaj opozitës dhe diskutimin me këtë të fundit.

“Më duket tepër absurd që kryetarja ta akuzojë opozitën dhe LDK-në pse ka kërkuar të respektohet rregullorja e Kuvendit. Kjo mënyrë e diskutimit me opozitën është e padinjitetshme. Për shkak të sjelljes dhe komunikimit në emër të LDK-së deklaroj që nëse sot i qitni në votim marrëveshjet ndërkombëtare ne do të votojmë kundër. Ky është kontributi juaj sot për qytetarët e Kosovës”.

Kuvendi i Republikës së Kosovës

Gjithashtu, Besnik Tahiri nga AAK deklaroi se Kusari-Lila po gënjen dhe nuk po krijon konsensus me opozitën.

“Shefja e GP të LVV-së lëre që pa kurrfarë niveli kolegial e profesional del e rren në foltore mundohet me e përmbushë një agjendë të saj që në fakt nuk din me e bë. Nuk din të ndërtojë konsensus Mimoza Kusari. Po flet për qëndrime tjera është e vërtetë që në kryesi kemi folur për të mbajtur seanca të enjten por kjo ka mbetur qysh vendosin grupet parlamentare”.

“Tash kërkon konsensus prej nesh dhe sillesh në formën më të ulët të mundshme si shefe e 61 deputetëve. Koalicionin me Listën Serbe e bëre ndërsa neve deputetëve të opozitës na e bjen në sabah agjendën për të futur projektligje”, tha Tahiri.

Kusari-Lila deklaroi se nuk dëshiron të përdorë “gjuhën që e përdori Tahiri dhe të sjellë standard të ri të keq të komunikimit mes shefave të grupeve parlamentare”

Me propozim të mazhorancës, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë përfshirë edhe 12 projektligje për lexim të dytë në agjendën e seancës e të premtes plenare.

Partitë opozitare e kundërshtuan këtë mocion procedural, ku kritikuan shumicën se me miratimin e këtyre projektligjeve po dëshiron të bëjë vetëm statistikë. Ndihmë pushtetit për përfshirjen e këtyre projektligjeve në rend të ditës i dhanë edhe deputetët e Listës Serbe.

Ky debat erdhi pasi Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari Lila, i është kundërpërgjigjur opozitës e cila deklaroi se nuk do të votojë marrëveshjet ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës ku po mbahet seancë plenare.

Kusari Lila i tha shefit të GP nga radhët e AAK-së, Besnik Tahiri, se vazhdimisht e ka bërë një “tradhti” të marrëveshjeve ndërkombëtare.

“U akuzuam se nuk po e përfillim opozitën, arsyeja pse jemi në seancë sot në ditën e Krishtlindjeve është për shkak që kërkesa e opozitës është përkrahur në Kryesi. Thuhet që se ne kemi pasur ngecje në agjendën legjislative. Ekzakt kërkesa jonë që këto projektligje të futen në rend dite është që bashkërisht si Kuvend të kemi një performancë të mirë”.

“U diskutua për mungesë të mbajtjes së fjalës, dhe kush e thotë, Besnik Tahiri, konsistent në tradhti të vazhdueshme të marrëveshjeve

“Mocioni ynë ka të bëjë me përfshirjen e agjendës së ditës së sotme projektligje që janë të gatshme dhe kanë kaluar procedurat dhe raportet që kanë ardh në seancë, janë projektligje në lexim të dytë”.

“Tri projektligje kanë ardh nga komisioni për ekonomi, tetë projektligje nga komisioni për shëndetësi dhe një nga komisioni për mjedis”, tha ajo.

Ndryshe, nga e enjtja e 23 dhjetorit janë kthyer reduktimet e energjisë elektrike.

Kufizimet do të jenë rreth dy orë dhe do të prekin të gjithë konsumatorët në kohë të ndryshme, përveç atyre emergjentë.

Këtë e ka bërë të ditur operatori i shpërndarjes së rrymës në vend, KEDS,pasi sipas tyre ky vendim ka ardhur për shkak të mbingarkesës së sistemit elektroenergjetik në vend ditëve të fundit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore