Lajme

Debati parlamentar për komisionin hetimor për energji, LVV: Ajo mund të formohet duke bashkuar kërkesat e dy palëve


Ilustrim

Deputeti i Partisë Demokratike e Kosovës, Ferat Shala duke e arsyetuar propozimin e partisë së tij për themelimin e një komisioni hetimor për energji ka thënë se është e drejta e tyre, pasi sipas tij problemet energjetike kanë dominuar debatin publik në Kosovë.

“Kjo sfidë sociale, ekonomike dhe politike kërkon menaxhim të duhur. Për të dalë nga kriza të tilla, na duhet bashkërendim, por fatkeqësisht kemi vetëm ndërhyrje të Qeverisë. Mohomi i të drejtave kushtetuese të 40 nënshkruesve u duhet vetëm atyre që duan ta sabotojnë të vërtetën”, ka Shala nga foltorja e Kuvendit të Kosovës.

Sipas tij komisioni hetimor duhet të votohet në atë mënyrë që të zbardhet keqmenaxhimi i Qeverisë në raport me krizën energjetike.

“Ju bëj ftesë për të mirë të shtetit ta formojmë sot komisionin hetimor dhe ta përmbyllim ketë debat të shumëzgjatur dhe të panevojshëm që po na mban peng”, ka shtuar ai.

Ferat Shala

Në anën tjetër Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka potencuar se partia e saj disa herë e ka paraqitur qëndrimin që e mbështetë komisionin hetimor për energji. Megjithatë sipas saj gama e komisionit hetimor, përfshirë edhe problemet e trashëguara të energjisë, duhet zgjeruar.

Sipas saj, me mocion procedural mund të formohet një komision i përbashkët me kërkesa të pozitës dhe opozitës.

“Pajtohemi me të gjitha pretendimet tuaja, por nëse doni të jeni të përkushtuar ndaj transparencës po e zgjerojmë gamën e hetimit. Dhe në këtë aspekt ne kemi propozime shumë konkrete përfshirë edhe propozimet tuaja, pa hequr as pikë as presje. Propozimi ynë është i qartë”, ka thënë ajo.

Mimoza Kusari-Lila

Në mbrojtje të propozimit të PDK-së lidhur me komisionin hetimor për energjinë, ka dalë shefi i Grupit Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi.

Sipas tij ajo çfarë ka propozuar PDK-ja për formimin e komisionit hetimor për energjinë është e pranueshme dhe kushtetuese, por një gjë e tillë nuk vlen edhe për komisionin e propozuar nga pushteti.

Gashi ka thënë se nuk ka ndodhur asnjëherë që në komisionet hetimore të cilat i ka formuar Kuvendi, pushteti ta ndryshojë objektin e hetimit.

“Pushteti tenton ta mbytë një kërkesë për hetim parlamentar me veprimet dhe mosveprimet e tij. Del kryetarja e grupit parlamentar të pushtetit dhe po thotë hajde po i hetojmë 20 vjetët e kaluara. Dhe i them po publikisht, që ne e mbështesim, por një komision tjetër, jo ky. Sot fatkeqësisht do të përplasemi dhe do të përplasemi keq”, ka thënë ai.

Arben Gashi

Edhe deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj ka bërë të ditur se e përkrahin kërkesën e deputetit Tahiri për themelimin e një Komisioni Hetimor.

Sipas saj, duhet lejuar themelimi i këtij komision dhe siç kërkoi ajo nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, që t’i kërkoj grupeve parlamentare t’i japin emrat e tyre për formimin e këtij komisioni.

“40 deputetë e kanë nënshkruar formimin e këtij Komisioni Hetimor, dhe s’ka asgjë që mundet me ndal këtë komision. As se di çka po doni me fsheh. Dhe ne si partitë e tjera opozitare do ta përkrahim pasi asnjëherë në historinë e vendit s’janë refuzuar Komisionet Hetimore”.

Time Kadrijaj

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore