Muzikë

“Dawn FM” – Një shpërthim pop-i me 5 yje nga The Weeknd, i cili funksionon sërish në pandemi


Artisti kanadez Abel Tesfaye, i njohur në art si The Weeknd, e ka vendosur tashmë hegjemoninë e tij si muzikanti më influencues përgjatë gjithë ciklit të pandemisë COVID-19.

Ndryshe nga shumë artistë të tjerë, të cilët po hezitojnë të hedhin në treg këngë – aq më pak albume – The Weeknd ka publikuar dy të tillë, në një hark kohor thuajse dy-vjeçar.

Me “After Hours”, në mars 2020, ai pushtoi renditjet botërore. Mbi të gjitha, rroku vëmendjen e zemrat e njerëzve.

Prej atij albumi, jo vetëm që shumica e 14 këngëve patën sukses, por doli edhe hiti më i madh i të gjitha kohërave sipas revistës prestigjioze “Billboard”, Blinding Lights.

E vetmja gjë që The Weeknd nuk fitoi, ishte një Grammy. Mbi këta të fundit, u hapën shumë diskutime, aq sa ato çuan edhe në ndryshimin e formulës së përzgjedhjes së këngëve.

Gjithsesi, Tesfaye nuk u mor shumë me çmime e tituj, por iu kushtua tërësisht një albumi tjetër, të cilin e hodhi në treg më 7 janar.

Ashtu si “After Hours”, “Dawn FM”, pushtoi menjëherë renditjet botërore.

Një ekzuberancë e rrymës pop përfshin gjithë albumin, narrativa e të cilit është e padëgjuar më parë në industrinë muzikore.

Në një mimikë emisioni radiofonik, zëri i të cilit është aktori i famshëm Jim Carrey, The Weeknd sjell atë që ai e përshkruan si “purgator” për eksperiencën e dëgjuesit, duke dalë në sintetizimin e tingujve, por të sjellë e pastruar në një servirje futuristike post-pandemike.

E gjithë ideja e tij është e çuditshme, është jashtë të zakonshmes e normales. Por, funksionon!

Kritikët e kanë pritur me zell punën e tij të re dhe e kanë vlerësuar edhe më lart se albumi i mëparshëm – i cili në vetvete ishte ndër më të suksesshmit të Tesfaye.

Por, ajo që godet më shumë, është fakti se ai nuk do t’ia dijë për pandeminë dhe kjo gjë po vlerësohet.

Shitje fizike të albumin, ende nuk ka në SHBA – tregu kryesor muzikor. Shitjet digjitale do të fillojnë vetëm më 14 janar.

I gjithë albumi është ofruar për audiencën në platformat e dëgjimit si Spotify, Apple Music, Tidal apo iTunes.

Është e çuditshme, kur mendon se ato mund të ndikojnë në shitjen dhe të ardhurat e artistit.

Përgjigja nga The Weeknd, vjen me një tweet të thjeshtë: Nuk më interesojnë fitimet. Dua që njerëzit ta dëgjojnë artin tim dhe të çlirohen disi nga situata që po vijojmë të jetojmë.

Krejt njerëzor, jashtë flluskës së zakonshme ku yjet botërorë përfshihen, kanadezi ka gjetur formulën fituese për muzikën e tij që ngjan si e viteve 80’, por luhet nën neonet e 2022-shit.

Me një festë dëgjimi të organizuar me miqtë e bashkëpunëtorët e tij, ai u vesh nën personazhin e mplakur, që ende pritet të dalë në narrativen e “Dawn FM”.

Sakaq, lista me 16 këngë të reja – tre prej të cilave interlude që përfshijnë Jim Carrey dhe Quincy Jones në rrëfime të tyret personale, si një emision i vërtetë radiofonik – i pret dashamirësit e muzikës së tij dhe i fton në rrugëtimin e përtejmë të agimit.

Ah, po. Tyler, the Creator dhe Lil Wayne, janë pjesë e albumit gjithashtu…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore