Lajme

DASH: Kosova dhe Serbia të kenë prioritet dialogun


DASH

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) i kanë bërë thirrje Republikës së Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian (BE) në “frymën e kompromisit të nevojshëm”, që të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e raporteve mes dy vendeve.

“Ne vazhdojmë t’u bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që ta kenë prioritetet dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, të punojnë në minimizimin e tensioneve dhe të ndjekin negociatat me fleksibilitet dhe në frymën e kompromisit të nevojshëm për të arritur një marrëveshje normalizimi gjithëpërfshirëse që do të mundësojë rrugën e tyre përkatëse evropiane”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë (REL) një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit.

DASH-i këtë përgjigje e ka dhënë duke iu përgjigjur pyetjeve të REL-it për një raport të publikuar së fundmi nga Institutit për Politika të Jashtme të Universitetit Johns Hopkins (SAIS) dhe Qendrës Wilson, që ia rekomandonte administratës amerikane vendosjen e sanksioneve për politikanët e Kosovës dhe Shqipërisë që me deklaratat e tyre promovojnë bashkimin e të dyja shteteve.

“Ne e vlerësojmë këndvështrimin akademik dhe të organizatave për këto çështje”.

“Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për një Kosovë sovrane, të pavarur, multiektnike, siç parashihet në Kushtetutën e saj”, ka thënë zëdhënësi i DASH-it, duke mos e komentuar tutje këtë raport.

Një nga kontribuuesit në raportin e titulluara “Nga kriza në konvergjencë – Strategjia për të trajtuar paqëndrueshmërinë dhe burimin e saj në Ballkan”, Lulzim Peci, për REL ka thënë se e sheh si mundësi reale që SHBA-ja të sanksionojë politikanët që promovojnë “bashkimin” e Kosovës dhe Shqipërisë.

“Në një të ardhme të afërt, nëse aktorët kryesorë politikë nuk i ndryshojnë qëndrimet e tyre politike, unë mendoj që ky opsion është shumë real, sepse, praktikisht, një retorikë e tillë e pengon stabilizimin e Ballkanit, por edhe arritjen e zgjidhjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Peci.

Lulzim Peci

Por, vendosja e sanksioneve për këtë çështje nuk duket si masë reale për njohësin e çështjeve politike, Agon Maliqi.

“SHBA-ja nuk e ka praktikë të sanksionojë opinione. Në raste të tilla praktikohet shmangia e vizitave ose izolimi politik”, tha Maliqi për REL.

Agon Maliqi

Së fundmi, SHBA-të kanë vendosur sanksione ndaj politikanëve në Ballkanin Perëndimor lidhur me dyshimet për përfshirjen e tyre në korrupsion.

Në maj të vitit 2021, ish-presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha u shpall ‘persona non grata’ për shkak të përfshirjes në korrupsion të gjerë.

Ndërkaq, më 5 janar 2022, SHBA-të zgjeruan sanksionet ndaj anëtarit serb të Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik, për përfshirje në korrupsion dhe minimin e stabilitetit të Bosnjës dhe rajonit.

Milorad Dodik

Zëvendësndihmës Sekretari për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, njëherësh i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka paralajmëruar se SHBA-të do të sanksionojë edhe politikanë të tjerë në këtë rajon.

DASH-i tha se SHBA-të janë të përkushtuara për suksesin e mbarë rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe integrimin e këtyre shteteve në BE, përfshirë edhe Kosovën “si shtet të pavarur, sovran dhe demokratik”.

“Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të përkushtuara në të gjitha nivelet për suksesin e rajonit dhe Zëvendësndihmës Sekretari për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, njëherësh i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor [Gabriel Escobar], së bashku me ambasadorët e SHBA-së në Prishtinë dhe Beograd, mbeten bashkëbiseduesit kryesorë të SHBA-së për këto çështje”, ka thënë një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit për REL.

Zëvëndësndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar

Zëvendësndihmës Sekretari për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, njëherësh i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar pritet ta vizitoj Kosovën dhe Serbinë në fund të muajit janar, të vetmet shtete të rajonit që nuk i ka vizituar ende.

Ai ka thënë në një intervistë për Zërin e Amerikës se po e fillojmë këtë vit të ri me energji të ripërtërira dhe me një theks të ri për funksionimin e dialogut.

“Së shpejti do të bëj një udhëtim në rajon, së bashku me zotin Lajçak për të sinjalizuar mbështetjen tonë për dialogun dhe për të shfaqur angazhimin tonë në drejtim të funksionimit të dialogut”, ka thënë Escobar.

“Është një dialog i udhëhequr nga BE-ja, por ne e mbështesim fuqimisht. Dhe unë shpresoj se do të bëjmë përparim”, theksoi Escobar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore