Shqipëria

DASH-i: Shqipëria shumë prapa në luftën kundër trafikimit me njerëz


Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar një raport mbi trafikimin e qenieve njerëzore për vitin 2021, sipas të cilit “Shqipëria nuk i përmbush plotësisht standardet minimale mbi çështjen”.

Gjithsesi, nënvizohet edhe fakti se Shqipëria po bën përpjekje të konsiderueshme për të arritur nivelet e dëshiruara.

“Qeveria demonstroi përpjekje të përgjithshme në rritje, krahasuar me periudhën e mëparshme të raportimit, duke marrë parasysh ndikimin e pandemisë në kapacitetin e saj antitrafik dhe ndaj mbeti në nivelin e dytë”, theksohet në raport.

Në përpjekjet e përmendura, përfshihen ndjekja penale e personave të rrezikshëm dhe rritja e konsiderueshme e burimeve strehore për viktimat. Këto të fundit, financohen nga qeveria.

Në raport saktësohet gjithashtu fakti se qeveria i vijoi përpjekjet për të parandaluar trafikimin. Këtu, është përmendur edhe një plan veprimi i viteve 2018-2020. Po ashtu, edhe një fond prej thuajse 4.9 milionë dollarësh, i vënë në shërbim për zbatimin e këtyre projekteve.

Raporti përfshin, ndër të tjera, edhe profilet e trafikimit gjatë pesë viteve të fundit.

Trafikantë të qenieve njerëzore, shfrytëzojnë viktimat e brendshme dhe ato të huaja në Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë. Po ashtu, ka edhe shfrytëzim të grave dhe fëmijëve për trafik seksual apo punë të detyruar.

Kjo e fundit vjen edhe në formën e daljes së fëmijëve për të lypur. Kryesisht bëhet fjalë për fëmijë të komunitetit rom në këtë kategori.

Ndërsa, për trafikimin seksual, theksohet se ai kryhet drejt gjithë Evropës. Por, vendet më të prirura për të trafikuar, janë drejt Kosovës, Greqisë, Italisë, Belgjikës, Gjermanisë apo Zvicrës.

Në raport ka edhe një rekomandim përfundimtar, mbi hetimin me forcë dhe ndjekjen penale të këtyre trafikantëve.

Përfshi këtu, edhe zyrtarë dhe bashkëpunëtorë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore