Lajme

DASH-i: Kosova larg plotësimit minimal të standardeve në luftën kundër trafikimit të njerëzve


Departamenti Amerikan i Shtetit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë publikuar një raport mbi trafikimin e qenieve njerëzore për vitin 2021, sipas të cilit “Qeveria e Kosovës nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit”.

Në raportin e Departamentit të Shtetit thuhet tutje se Kosova megjithatë është duke bërë përpjekje “të konsiderueshme për një gjë të tillë”.

Krahasuar me periudhat e mëparshme vërehet një përpjekje e përgjithshme edhe në kohën e ndikimit të pandemisë COVID-19, por se mbeti në “në nivelin e 2-të”.

“Përpjekjet përfshinin miratimin e procedurave të reja standarde për të rritur efikasitetin e ndjekjeve penale dhe caktimin e një pike kontakti trafikimi në të shtatë zyrat themelore të prokurorisë. Qeveria rriti burimet për mbrojtjen e viktimave, përfshirë fondet për strehimoret antitrafikim të drejtuara nga OJQ-të dhe ato nga shteti”.

Raporti thotë se Qeveria është larg standardeve minimale në disa fusha kryesore.

“U dënuan më pak trafikantë dhe gjyqtarët vazhduan të vendosnin dënime të pamjaftueshme për trafikantët e dënuar”.

Për sa i takon përpjekjeve për parandalim në raport thuhet se qeveria i uli përpjekjet për të parandaluar trafikimin, veçanërisht për shkak të pandemisë.

Profili i trafikimit

Rrjetet kriminale shfrytëzuan viktimat në trafikimin seksual brenda vendit thuhet në raport.

Viktimat e trafikimit kryesisht janë vajza por se trafikantët kanë detyruar gjithashtu edhe gra, nga Shqipëria, Moldavia, Mali i Zi, Rumania, Serbia dhe vendet e tjera evropiane për trafik seksual.

“Gratë dhe vajzat shfrytëzohen për trafik seksual në shtëpi dhe apartamente private, klube nate dhe sallone masazhesh. Fëmijët nga Kosova, Shqipëria dhe vendet e tjera fqinje janë të detyruar të lypin brenda vendit”.

Romët, ashkalit dhe egjiptianët janë të komunitetet që më së shumti shfrytëzohen nga “lypja e detyruar dhe trafikimi seksual”, por se edhe personat e komunitetit LGBTQI +, migrantët, e azilkërkuesit dhe refugjatët sipas raportit të DASH-it i nënshtrohen një rreziku më të lartë për trafikim.

Ndjekja penale

Sipas raportit thuhet se Qeveria e Kosovës i ka ruajtur përpjekjet e strukturave të zbatimit të ligjit në këtë drejtim. Kurse korrupsioni dhe bashkëpunimi i zyrtarëve në krimet e trafikimit mbetën një shqetësim, duke penguar veprimet e strukturave të zbatimit të ligjit gjatë vitit.

Raporti i DASH-it veçon një rast të vitit 2016, kur prokurorët akuzuan dy pjesëtarë të polici për dy çështje të veçanta ku dyshohej se ishte abuzuar me pozitën zyrtare dhe për shfrytëzim për qëllime seksuale të viktimave të trafikimit. Ndërsa tre vite më pas, në vitin 2019, Gjykata Themelore e Prishtinës kishte liruar njërin nga policët.

Raport i rekomandon Qeverinë e Kosovës të hetojë me këmbëngulësi, të ndjekë penalisht dhe të dënojë trafikantët, duke përfshirë zyrtarë bashkëpunëtorë, dhe të dënojë trafikantët me burg, në përputhje me dënimet e përcaktuara.

Raporti i Departamentit të Shtetit Amerikan mbi trafikun e qenieve njerëzore për vitin 2021 pasqyron përpjekjet e rreth 190 vendeve të ndryshme ndaj trafikut seksual dhe asaj që njihet si skllavëria moderne.

Disa vende të nivelit të dytë si Kosova, kategorizohen në atë që konsiderohet niveli i dytë nën vëzhgim kurse Libia, Somalia dhe Jemeni konsiderohen si raste të veçanta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore