Lajme

DASH: Disa afganëve në Kosovë u është refuzuar hyrja në SHBA


Afganët e parë në Kosovë.

Një numër i afganeve të cilët kanë qenë të strehuar përkohësisht në Kosovë, u është refuzuar hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kjo për arsyeje se të njëjtit nuk kanë kaluar procesin e verifikimit.

“Përderisa shumicës së udhëtarëve afganë në kuadër të grupit OAW [Operacioni për mirëpritjen e aleatëve] u është lejuar hyrja në Shtetet e Bashkuara përmes procesit tonë të verifikimit, përfshirë edhe shumicën e afganëve në Kosovë”.

“Një numër i vogël i individëve të cilët nuk e kanë kaluar procesin, shërben si shembull se sistemi po punon siç duhet. Departamenti, në fund të fundit, e vlerëson me prioritet më të lartë sigurinë e popullit amerikan”, tha zyrtari i DASH-it për Radio Evropa e Lirë.

Ai ka theksuar se mundësinë janë të mëdha që edhe individë të tjetër të mos e kalojnë verifikimin.

“Do të ketë individë të tjerë të cilët përfundimisht nuk do të jenë në gjendje të zhvendosen në SHBA”.

Mirëpo, sipas tij procesi i verifikimit edhe mund të ndryshoj.

“Ne presim që afganët në kampin Liya në Bondsteel, ose do të kalojnë procesin e verifikimit që do t’iu mundësojë udhëtimin për në SHBA brenda periudhës 365-ditore, ose do të zhvendosen në ndonjë shtet të tretë”.

Ai po ashtu tha se Uashingtoni do të ndihmojë në kthimin e afganëve në Afganistan, nëse ata zgjedhin diçka të tillë.

Më 5 nëntor, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), ka bërë të ditur përmes rrjetit social Twitter se rreth 100 afganë që ishin strehuar në Kosovë tashmë janë nisur drejt SHBA-së.

Ndryshe, më 16 shtator mbi 100 afganë janë nisur nga Kosova për Britaninë e Madhe.

Më 19 shtator janë larguar edhe 51 shtetas afganë nga Kosova.

Afganët që po qëndrojnë në Kosovë janë kryesisht persona që kanë punuar në cilësi të ndryshme për ushtrinë amerikanë si dhe forcat e tjera aleate të NATO-s, që kanë operuar në Afganistan në 20 vjetët e fundit.

Afganët duke u larguar nga Kosova

Për dallim nga Shqipëria dhe Maqedonia e veriut, në Kosovë, afganët kanë rregulla strikte të lirisë së lëvizjes, ata nuk e kanë të lejuar të dalin nga kampet ku janë vendosur.

Në Kosovë të strehuar kanë qenë 683 shtetas afganë.

Ambasada britanike kishte falënderuar dhe ka thënë se i është jashtëzakonisht mirënjohës për bujarinë e Kosovës në pritjen e këtyre njerëzve të cenueshëm dhe për hapin përpara për të mbështetur NATO -n në kohën e nevojës.

Grupi i parë i afganëve në Kosovë kishte arritur më 29 gusht, ku raportohej të ishte një grup prej 111 personave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore