Kosova

Darko Tanaskoviç: “Kosova është larg anëtarësimit në UNESCO”


Darko Tanaskoviç, ish-ambasadori i Serbisë në UNESCO

Ish-ambasadori i Serbisë në UNESCO, dhe profesori në Universitetin Filologjik të Beogradit, Darko Tanaskoviç, në një intervistë për televizionin serb “TV Pink” ka thënë se “Kosova është larg anëtarësimit në UNESCO”.

“Vendimi unanim i UNESCO-s për të mbajtur 4 faltoret në Listën e Trashëgimisë Kulturore në Rrezik, është shumë i rëndësishëm për Serbinë, por edhe tregon se edhe shtetet që kanë njohur pavarësinë e Kosovës, qëndrojnë të palëkundura se manastiret serbe janë të rrezikuara”, ka thënë ish-ambasadori serb.

Ai ka thënë se kjo është mesazh i qartë për autoritetet e Kosovës.

“Nëse marrim parasysh se në mesin e 21 anëtarëve të Komitetit të Trashëgimisë Botërore, aty janë të paktën një duzinë vendesh që e kanë njohur Kosovën, pra ky është një mesazh edhe më i fortë dhe do të thotë se edhe ato vende besojnë se kjo nuk është e mjaftueshme dhe se Kosova, për ata, duhet të përmbushë standardet që nuk i plotëson” vazhdoi Tanaskoviç.

Ai ka thënë se Kosova “i’a ka mësyer një rruge të re” të cilën po e mësojnë nga “mentorët e tyre nga jashtë”, dhe nuk po instistojnë të anëtarësohen së shpejti në UNESCO, por se “janë duke e përgatitur terrenin për t’u paraqitur si shtet që përkujdesen për të gjithë trashëgiminë kulturore në Kosovë, përfshirë edhe ato serbe”, por se, sipas tij, “po mundohet ta statizojnë si trashëgimi të përbashkët kulturore”.

Profesori serb thotë se mund të krijohen rrethanat që Kosova të arrijë simpatinë dhe konsideratën e komunitetit ndërkombëtar, pasi që “Prishtina po vendos mbështetejen në një pozicion të vlerave universale”, sipas të cilave vlera do të futeshin në listën e trashëgimisë kulturore të UNESCO-s.

Tanaskoviç thotë se të mirat kulturore është e vështirë të hiqen nga lista e trashëgimisë kulturore në rrezik dhe se për këtë nevojiten argumente shumë serioze, profesionale dhe realiste.

Profesori serb, Darko Tanaskoviç shprehet se Kosova për nga pikëpamja e UNESCO-s është “entitet jorelevant dhe praktikisht inekzistent”, por se Kosova ka “lobues brenda organizatës dhe në mënyrë inderekte synon të depërtojë te shtetet tjera”.

Profesori serb, ngren shqetësim karshi Serbisë, se nëse 4 monumentet serbe hiqen nga lista e monumteve të rrezikuara “Kosova do të fitonte kredibilitet si shtet, të cilën do ta përdornin politikisht për të rinovuar aplikimin për Anëtarësim në UNESCO. Do ta paraqisnin si një afirmim të shtetësisë, subjektivitetit ndërkombëtar, dhe një niveli kulturor e civilues të cilën s’e kanë”.

Profesori serb është shprehur tejet i shqetësuar se mos po “tjetërsohet trashëgimia kulturore nëse i bien praktiksht në duar Kosovës”, dhe se “do të fshihet elementi serb brenda Kosovës”.

Tanaskoviç, tha se në vitin 2015 Kosova ishte në situatë shumë më të favorshme se ç’është tash për t’u bërë anëtare, por edhe ajo s’mjaftoi pasi edhe shtete që njohin pavarësinë e Kosovës abstenuan.

Ai kujton se për nga aspekti legal-ndërkombëtar, argumenti bazik është se “Kosova nuk është shtet, dhe për këtë arsye nuk mund të anëtarësohet në UNESCO”, por konsideron edhe se “duhet marrë parasysh se ka shtete që njohin e prapë s’e kanë votuar”.

“Sot, situata për Serbinë është e favorshme, por s’duhet të na gënjejë mendja, duhet të vazhdojmë betejën parimore të mbajmë situatën siç e kemi, që në asnjë mënyrë mos ta lëmë Kosovën të bëhet anëtare në UNESCO”, është shprehur Tanaskoviç.

Tutje, Tanaskoviç, ka vazhduar diskursin dhe narrativën e kahmotshme Serbi karshi Kosovës, por se ka thënë se tashmë shqiptarët në Kosovë kanë tre traktika për trashëgiminë kulturore, duke u thirrur në trazirat e marsit të 2004-ës.

“Imazhet e shqiptarëve mbi çati të kishave duke thyer kryqa e duke i përplasur kanë udhëtuar botën. Por ata e dinë tashmë që shkatërrime të tilla janë kundër interesit të tyre, vetëm se tash s’i lejojnë rinovimin e tyre”, dhe kjo konsideron ai është taktika e parë e shtetit të Kosovës për kishat serbe.

“Taktika tjetër e Kosovës, është që t’i ‘shqiptarizojë’ monumentet serbe, dhe të mundohen t’i tregojnë si trashëgimi kulturore shqiptare, kështu duke e falsifikuar të kaluarën, të thonë se Nemanjiçët kanë qenë pushtues të cilët kanë ndërtuar monumentet me vlera universale, të cilët ishin qendrat e jetës krishtere, dhe të bazuara mbi kisha para-ekzistuese shqiptare”, ka vlerësuar më tutje ish-ambasadori Tanaskoviç.

Tanaskoviç shprehet me bindje të verbër se “kjo nuk mund ta ndryshojë situatën, veçanërisht në botën shkencore të të kuptuarit të përkatësisë qytetërimore dhe historike të asaj trashëgimie që është serbe, ortodokse dhe askush nuk mund ta ndryshojë atë”.

Por se taktika e tretë që sipas profesorit serb është më e rrezikshmja është lënja nën hije e origjinës së trashëgimisë kulturore dhe që thekson brengën në tërësinë e trashëgimisë së shtetit të Kosovës.

“Për të painformuarit, veçanërisht kur shoqërohet me propagandë të fortë, mund të paraqitet si diçka e pranueshme nga pikëpamja e vlerave të qytetërimit modern,” përfundon Tanaskoviç.

Më 31 korrik është vazhduar vendimi nga UNESCO për ti mbajtur 4 manastiret ortodokse në Kosovë në Listën e Trashëgimisë Kulturore në Rrezik.

Qeveria e Kosovës i kishte dërguar letër Europa Nostras në lidhje përfshirjen e Manastirit të Deçanit në listën e monumenteve më të rrezikuara në Evropë, dhe kishte shprehur shqetësimin për këtë vendim të pabazuar dhe që nuk përkon fare me faktet, dhe se ishte vendim i motivuar politikisht.

“Ne ju ftojmë të vizitoni Kosovën dhe shihni nga afër gjendjen e Manastirit të Deçanit. Gjatë marrjes së këtij vendimi keni neglizhuar një dimension esencial, konsultimet me palët e interesit, ndërsa keni marrë për bazë një tekst tendencioz dhe joprofesional të organizatës nominuese. Prandaj, ju ftojmë të vini dhe të bisedoni me banorët e zonës, klerikët e Manastirit, organizatat e shoqërisë civile, profesionistët, institucionet vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë, organizatat ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë, zyrtarët e shtetit dhe të tjerët”, kishin shkruar letrën dërguar Europa Nostras.

Në shtator të vitit 2020, Kosova nënshkroi në Marrëveshjen e Washingtonit moratoriumin 1 vjeçar sipas të cilit pranon të mos aplikojë në organizata ndërkombëtare, dhe tashmë janë bërë një vit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore