Sport

Dardanët punojnë me intensitet, Berisha e Rrudhani flasin me optimizëm


Kombëtarja e Kosovës e ka zhvilluar sot seancën e tretë stërvitore në kuadër të përgatitjeve për ndeshjet e para kualifikuese për Euro 2024.

Para fillimit të stërvitjes përzgjedhësi Alain Giresse e ka mbajtur një video-analizë të shkurtër me futbollistët, derisa gjatë stërvitjes është punuar me intensitet të plotë.

Para fillimit të stërvitjes Dardanët i ka vizituar edhe ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, i cili i ka uruar kombëtares suksese në këtë cikël kualifikues dhe realizimin e ëndrrës për pjesëmarrje në Evropian.

Pas stërvitjes, foli për FFK-në mesfushori kosovar, Dardan Berisha, i cili ndeshjen me Izraelin e konsideron të vështirë, por tha që do të mundohen që ta sigurojnë vendin e dytë në grup në këto ndeshje kualifikuese.

“Atmosfera është shumë e mirë dhe stërvitja sot ishte shumë intensive. Për mua ishte pak më e vështirë, pasi kam udhëtuar thuajse dy ditë për të ardhur këtu. E ndjeva veten mirë, por ende jo 100 për qind i rikuperuar”, ka thënë Berisha i cili luan për skuadrën australiane, Melbourne Victory.

“Ekipi po punon mirë dhe sot kemi filluar ta përgatisim lojën tonë, të cilën do ta aplikojmë kundër Izraelit. Sigurisht se do të jetë një ndeshje e vështirë sepse ata luajnë para tifozëve të vet”, shtoi Valoni.

“Edhe koha mendoj se do të jetë më ndryshe se sa jemi mësuar ne, me temperaturat këtu dhe do të jetë një sfidë e vështirë. Edhe ata duan të arrijnë në top dyshen e grupit dhe mendoj se jemi në të njëjtin nivel”.

“Është një ndeshje shumë e rëndësishme, në të cilën duhet që së paku të marrim një pikë jashtë. Normal, fitorja është ajo që duam, por me rëndësi është të mos humbim. Misioni i kualifikimit a është i mundur? Besoj që po”.

“Ajo që është kryesore për ne është se shumë lojtarë kyç në kombëtare janë duke luajtur rregullisht në ekipet e tyre dhe janë në formë të mirë. Ky ndoshta ka qenë edhe fakti që është kërkuar më së shumti tek kombëtarja jonë, që me sjellë formën e tyre të mirë dhe të jenë të gatshëm për ta dhënë maksimumin për Kosovën”, ka thënë Berisha.

Pas stërvitjeve foli edhe Donat Rudhani, i cili shpreson që të shkojë gjithçka mirë në ndeshjen me Izraelin.

“Atmosfera është fantastike. Ushtrimet po shkojnë shumë mirë. Sot punuam më intensivisht, por gjithçka shkoi mirë. Jemi duke punuar me përkushtim dhe shpresoj që gjithçka të shkojë mirë”, ka thënë Rudhani.

“Objektivi i kualifikimit në Evropian? Po, kjo është e qartë. Të gjithë kemi besim dhe dëshirë për ta arritur këtë gjë. Besoj se do të kualifikohemi, por kjo gjë arrihet vetëm me punë dhe për këtë arsye jemi duke punuar çdo ditë”, shtoi ai.

“Të gjithë jemi në top-formë dhe besoj se do t’ia dalim të gjithë së bashku. Izraeli? Është një kundërshtar relativisht i fortë, por besoj se do të kthehemi me rezultat pozitiv”, përfundoi futbollisi i Young Boys.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore