Lajme

Danimarka dhe Norvegjia zgjasin pezullimin e AstraZeneca-s


Tre javë të tjera pezullim për vaksinën e britanikëve të AstraZeneca-s në Danimarkë, pas hetimeve mbi dyshime se dozat e Oxford-it, shkaktojnë mpiksje gjaku.

Danezët ishin ndër të parët në Evropë që pezulluan vaksinën britanike, menjëherë pasi disa raste të tilla u raportuan.

Shumica e vendeve që kishin ndërmarrë ndalimin e vaksinimit me AstraZeneca-n, e kanë rifilluar atë tashmë. Kjo, pas rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Autoritetet daneze gjithsesi thanë se nuk e përjashtojnë lidhjen që vaksina anti-covid mund të ketë me rastet e tilla. Dy prej tyre po analizohen më tej, pas disa simptomave të pazakonta.

Drejtori i Autoritetit të Shëndetësisë në Danimarkë, Soren Brostrom, bëri me dije për publikun se “një vendim përfundimtar është ende larg, pasi të dhënat janë të pasigurta”.

“Shumë studime janë ndërmarrë, por ende nuk kemi një përfundim. Ndaj kemi vendosur të zgjasim pezullimin”.

Sipas agjencive të ndryshme të shëndetësisë, vaksinimi në Danimarkë do të shtyhet me një muaj tjetër. Kjo, nëse nuk aprovohet sërish përdorimi i AstraZeneca-s.

Brostrom gjithsesi, theksoi faktin se “pa pasur siguri maksimale, nuk mund t’i ofrohet vaksinim publikut”.

Norvegjia gjithashtu do të rishikojë politikat që do të ndjekë për vaksinën britanike. Shteti nordik pritet të vendosë më 15 prill mbi vazhdimin e vaksinimit me doza nga AstraZeneca. Kjo, sipas Institutit të Shëndetit Publik në Norvegji.

Vaksinimi dhe furnizimi aty u ndërpre, pasi disa të rinj, të cilët morën dozat britanike, u shtruan në spital me komplikacione. Disa prej tyre madje, humbën jetën.

Rreth 150 mijë njerëz kanë marrë dozat e Oxfordit në Danimarkë. 500 mijë të tjerë, atë nga Pfizer. Vetëm 37 mijë ndërkohë, dozat e Moderna-s.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore