Lajme

Dajkoviç i reagon Kurtit – “nuk jam ekstremist e as mercenar pro-rus”


Vladislav Dajkoviç, i cili ishte përmendur nga Kryeministri i Kosovës Albin Kurti si njëri nga organizatorët e bllokadave në Veri

“Kam lindur serb dhe do të vdes i tillë, nuk jam ekstremist e as mercenar pro-rus”.

Kështu është përgjigjur Vladislav Dajkoviç i cili ishte njëri nga dy emrat që Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka përmendur të shtunën përmes një postimi në Facebook duke e cilësuar atë si njëri nga personat me “veprimtari kriminale” që qëndron mbrapa bllokimeve në Veriun e Kosovës.

Djakoviç, në reagimin e tij në Facebook ka thënë se nuk i ka ofenduar me gjestet e tij policinë dhe as nuk ka mbajtur fjalime nxitëse që do të çonin në tensionim të situatës, teksa thotë se “nëse doni të më ndaloni të jem ky që jam, ky është problemi i juaj. Por, dije që nuk më frikësove”, i ka thënë ai kryeministrit Kurti.

Dajkoviç, madje ka theksuar se nuk ndjen frikë pasi sipas tij, serbët janë shkëputur prej kohësh nga frika.

“Nuk kam turp të vizitoj vëllezërit e mi, sepse atëherë do të kisha turp për gjyshin tim. Nuk më vjen keq sepse jam në anën e së vërtetës. Dhe jo, nuk kam ardhur për të bërë probleme sepse ju i keni krijuar ato shumë kohë më parë”, është shprehur Djakoviç.

Kryeqeveritari Kurti, të shtunën përmes një postimi në Facebook kishte deklaruar se në bllokimin e rrugëve që shpijnë në drejtim të vendkalimeve kufitare, Jarinje dhe Bërnjak janë duke marrë pjesë persona të dëshmuar me veprimtari kriminale dhe pikëpamje ekstremiste.

“Ai ka lidhje të ngushta me agjentin propagandues serb, Boris Malagurski, si dhe me propaganduesin francez prorus, Arnaud Gouillon. Dajkoviç, është edhe anëtar i Lëvizjes Imperialiste Ruse që është shpallur organizatë terroriste nga ShBA-të”, kishte shkruar Kurti për Dajkoviç.

Përpos tij, Kurti ka përmendur edhe emrin e Igor Braunoviç si nga nga organizatoret e protestave në Veriun e Kosovës.

Vladislav Dajkoviç, i cili ishte përmendur nga Kryeministri i Kosovës Albin Kurti si njëri nga organizatorët e bllokadave në Veri

E diela shënon ditën e shtatë që kur Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës janë pozicionuar në pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak për të siguruar mbarëvajtjen e vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitetin e targave.

Aksioni i Policisë së Kosovës është pasuar me reagime të shumta si nga shtetasit serbë të cilët jetojnë në Kosovë ashtu edhe nga politikanët serbë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore