Lajme

Daçiç tenton ta bind Egjiptin për çnjohje të Kosovës, ish-ministrja e MPJ-së e quan përpjekje të dështuar


Ish-Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla

Ish-Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka reaguar ndaj Kryetarit të Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiç, i cili po qëndron për vizitë në Egjipt duke tentuar që ta tërheq njohjen e këtij vendi për Kosovën.

Ajo ka kujtuar një telefonatë me ministrin e Jashtëm të Egjiptit, Sameh Shoukry, gjatë kohës sa ishte kryediplomate.

“Në dritën e përpjekjes së fundit të dështuar të Ivica Daçiçit për të fituar një ‘çnjohje’ të Kosovës ndërsa ‘lobonte’ me premtime të paligjshme për donacione të vjetruara armësh, kujtoj një telefonatë shumë të mirë me ministrin e Jashtëm të Egjiptit një vit më parë. Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës duhet ta ndjekë rrjedhën e planeve të rezultuara”, shkroi ish-ministrja në Twitter.

Atëkohë, Haradinaj-Stublla shkruante se me kryediplomatin e Egjiptit kishin diskutuar për “modalitetet për të thelluar dhe forcuar lidhjet tona dypalëshe politike dhe diplomatike në të ardhmen e afërt”.

Ndërsa Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Egjiptit, Hanafi El Gebali, pas takimit me Kryetarin e Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiç, ka theksuar se “njohja e Kosovës nga Egjipti nuk është aktivizuar asnjëherë”.

Gebali theksoi se njohja u bë në kushte të veçanta historike.

“Pas revolucionit të popullit egjiptian, situata ka ndryshuar dhe kjo njohje nuk është aktivizuar. Ne po i kushtojmë vëmendje të madhe marrëdhënieve me Serbinë”, tha Gebali.

Hanafi El Gebali

Ndërkaq, Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiç, potencoi se Egjipti ende i përmbahet asaj që është rënë dakord disa vite më parë.

“Ata e konsiderojnë këtë çështje një rast të njohjes së ngrirë”, pohoi Daçiç, i cili kryeson një delegacion parlamentar të Serbisë, i cili është në një vizitë dyditore në Egjipt.

Deri me tash, bazuar edhe në të dhënat e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, shteti i Kosovës është i njohur nga 117 shtete.

Njohja e fundit e pavarësisë së Kosovës ka ardhur nga shteti i Izraelit me 1 shkurt të këtij viti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore