Lajme

Daçiç: Kriza në veri është afër, targat e veturave po e rrezikojnë Marrëveshjen e Ohrit


Ivica Daçiç

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, pas seancës së Byrosë së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, tha se situata në Kosovë po bëhet gjithnjë e më e vështirë, duke pretenduar se Qeveria e Kosovës përmes targave të veturave po mundohet të pengojë zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

“Albin Kurti dhe lidershipi separatist i Prishtinës janë gjeneratori kryesor i të gjitha krizave dhe se po mundohen të shkatërrojnë të gjitha marrëveshjet për targat e veturave, duke gjeneruar vazhdimisht kriza në Kosovë, pra edhe në gjithë rajonin”, tha ai, transmeton “Danas”.

Shefi i diplomacisë serbe, i cili është edhe sekretar i përgjithshëm i këtij organi, po ashtu propagandoi kinse Qeveria e Kosovës nuk dëshiron paqe, por siç tha ai, po përpiqet t’i shmangë obligimet ndërkombëtare, pra themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Arrestimin e një pjesëtari të komunitetit serb në Mitrovicën e Veriut më 1 prill nga Polica e Kosovës në kuadër të një aksioni për luftimin e krimit të organizuar dhe parandalimin e kryerjes së veprave kriminale, kryedipomati serb e cilësoi si “persekutim të serbëve dhe shkelje të të drejtave të tyre”.

“Autoritetet e Kosovës duan të destabilizojnë situatën, që vazhdimisht po krijojnë kriza që të mos ndodhë normalizimi i gjendjes. Pse po ndodh kjo para vazhdimit të bisedimeve në Bruksel më 4 prill. Është e qartë se situata e vjetër dhe një krizë e re e krijuar nga Prishtina janë në horizont”, tha ai.

Personi i arrestuar dyshohet për sulm ndaj Policisë së Kosovës, pjesëmarrje apo organizim të grupeve kriminale dhe vrasje në tentativë, por sipas politikanit serb, kjo po bëhet për të ikur nga themelimi i Asociacionit të Komuanve me shumicë serbe dhe se ndërkombëtarët duhet të “ndalojë etiketimin e serbëve si faktor përçarës”.

Ndryshe, gjatë tri ditëve të fundit në veri të Kosovës janë shënuar djegie të veturave me targa të Kosovës, të cilat janë ri-regjistruar nga targat ilegale KM të lëshuara nga autoritetet e Serbisë. Në fakt, djegia e veturave ka filluar qysh vitin e kaluar kur nisi procesi i ri-regjistrimit të veturave me targa legale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore