Lajme

Daçiç “i frikësuar” nga presionet politike: Referendumi do të mbahet, por Serbia se njeh dot Kosovën


Kryetari i Parlamentit të Serbisë, Ivica Daçiç, është shprehur “i frikësuar” nga presionet politike me qëllim të njohjes së pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Në një intervistë të dhënë për programin e mëngjesit në Tv Happy, Daçiç, ka folur për ndryshimet në Kushtetutën e Serbisë si dhe çështjen e Kosovës.

Daçiç ka vlerësuar se Serbia po shkon drejt Bashkimit Evropian dhe se mbajtja e referendumit të planifikuar nuk ka të bëjë me një njohje të mundshme të Kosovës.

“Serbia po shkon drejt BE-së, është në interesin tonë të jemi anëtarë të BE-së”, ka thënë Daçiç.

“Ligji për ndryshimin e Kushtetutës u publikua si në faqen e internetit ashtu edhe në Fletoren Zyrtare. Referendumi nuk ka asnjë lidhje me njohjen e Kosovës. Nuk ka asnjë korrespondencë me Kushtetutën pas referendumit. Nuk ka asnjë kompromis. Politika është të ruhen interesat serbe”, ka shtuar ai.

Ndryshimet në kushtetutën e Serbisë në fushën e drejtësisë po bëhen me rekomandimin e BE-së, ndërsa rreth kësaj çështjeje është planifikuar mbajtja e një referendumi të dielën, më 16 janar.

“Bëhet fjalë për depolitizimin e gjyqësorit dhe pavarësinë dhe është një hap shumë i rëndësishëm përpara në reformën e drejtësisë dhe shtetit të së drejtës dhe kusht i domosdoshëm për integrim të mëtejshëm evropian”.

“Kjo është diçka që BE-ja na e kërkon prej vitesh. Nuk e di se çfarë mund të jetë e diskutueshme në këtë. Rezulton se të gjithë ata që janë për “PO”-në mbështesin qeverinë dhe ata që janë kundër janë menjëherë kundër qeverisë. Çfarë është më mirë për qytetarët? A duhet ta zgjedhë Parlamenti apo jo? Dëgjoj shumë kundërshtime për drejtësinë. Alternativa është që Parlamenti të vazhdojë të zgjedhë”, ka përfunduar Daçiç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore