Shqipëria

Çuçi dekretohet ministër i Punëve të brendëshme


Kryeministri i Shqipërisë,  Edi Rama njoftoi se ka zgjedhur  të propozojë  ministrin  e Bujqësisë,  Bledi Çuçi  si ministër të  Brendshëm nëpërmjet një posti në rrjetin social Twitter.  Ky propozim i kryeministrit  Rama vjen pas dorëheqjes  së  parevokueshme të Sandër Lleshaj nga detyra e ministrit të Brendshëm, pas   protestave që shpërthyen në vend si shkak i vrasjes së 25 vjeçarit Klodian Rasha nga efektivi i policisë. 

Lleshaj u dekretua si ministër i Brendshëm në vitin  2018 pas dorëheqjes së Fatmir Xhafës nga posti. Lleshaj tha se dorëheqja e tij erdhi  si njeri e si prind që ndan modestisht dhimbjen me prindërit e femijët e familjes së Klodian Rashës, por edhe si shprehje mirënjohjeje e respekti për ata që më besuan, mbështetën, inkurajuan.

Të enjten, më 17 dhjetor presidenti, Ilir Meta, dekretoi Bledi Çuçin si ministër të Brendshëm dhe njëkohësisht dekretoi  shkarkimin e Sandër Lleshajt nga posti i ministrit të Brendshëm, si edhe shkarkimin e Bledi Çuçit nga posti i ministrit të Bujqësisë. Pas dekretimit nga kreu i shtetit Bledi Çuçi do të vazhdojë detyrën e re si ministër i Brendshëm ndërkohë që Milva Ekonomi do të mbajë  postin e ministres së Bujqësisë.

Bledi Çuçi  është cilësuar si një figurë e qetë politike, jo polemizuese, një figurë që besohej se nuk do të kontestohej nga presidenti Meta. Kjo zgjedhje e kryeministrit Rama u cilësua nga analistët si një zgjedhje, e cila synonte të shmangte konfliktet përpara zgjedhjeve.

Bledi Çuçi  u bë pjesë Partisë Socaliste në vitin 2007, kur u zgjodh anëtar i Asamblesë Kom­bëtare dhe kryetar i Komisionit të Asam­blesë për Çështjet e Pushtetit Vendor. Që nga  viti 2007 ai  mban detyrën e  nënsekretarit për Çështjet Zgjedhore në Partinë Socialiste.  Në vitet 2013-2017 Çuçi  ka  qenë ministër shteti për Çështjet Vendore dhe koordinator kombëtar kundër korrupsionit. Gjatë mbajtes së këtij posti ai ka udhëhequr punën për përgatitjen dhe zbatimin e  Reformës Administrative Territoriale. Nga tetori i vitit 2016, Çuçi është i deleguari politik i PS-së në qarkun e Gjirokastës. Që nga janari i vitit 2019, ai mbajti funksionin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore