Biznes

Credit Suisse nis ‘ristrukturimin rrënjësor’ drejt stabilitetit


Banka Credit Suisse ka njoftuar një sërë masash radikale që synojnë të kthejnë stabilitetin pas humbjeve të mëdha të tremujorit të tretë.

Ndër to përfshihet rinovimi i njësisë bankare të investimeve, shkurtimi i nëntë mijë vendeve të punës dhe rritja e kapitalit të ri.

Ky rishikim strategjik i bankës së dytë më të madhe të Zvicrës synon t’i japë fund një sërë skandalesh që kanë tronditur institucionin.

Plani i ri nënkupton krijimin e një banke “më të thjeshtë, më të fokusuar dhe më të qëndrueshme”.

“Mbi 166 vjet, Credit Suisse ka ndërtuar një ekskluzivitet të fuqishëm, por ne e kuptojmë se vitet e fundit kanë qenë të paqëndrueshme”, ka thënë kryetari Axel Lehmann.

Sipas tij, rivlerësimi i drejtimit të bankës përfshin “një strategji radikale dhe një plan të qartë ekzekutimi për të krijuar një bankë më të fortë, më elastike dhe më efikase”.

Me bazë në Cyrih, banka ka zbuluar se po shkonte drejt “ristrukturimit rrënjësor” në një përpjekje për të ulur kostot dhe për ë krijuar një “Credit Suisse të re”.

Ajo synon të mbledhë një kapital me vlerë katër miliardë franga zvicerane përmes emetimit të aksioneve të reja për investitorë të kualifikuar.

Sakaq, njoftimi ka ardhur pasi banka ka njoftuar një humbje neto të tremujorit të tretë prej 4.034 miliardë frangash zvicerane.

Aksionet e saj ranë pas njoftimit, duke u ulur me 7.26 për qind në indeksin kryesor SMI të bursës zvicerane në 4.417 franga zvicerane.

Lehmann ka thënë se banka do të punojë në përmirësimin e proceseve të menaxhimit dhe kontrollit të rrezikut pasi një sërë investimesh u përkeqësuan.

“Jam i bindur se ky është plani për sukses, duke ndihmuar në rindërtimin e besimit dhe krenarisë në një Credit Suisse të re”, ka thënë ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore