Kosova

Cramon: Kosova të mos i rritë pritshmëritë për anëtarësim në NATO, të angazhohet për KE


Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian (PE), Viola von Cramon

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian (PE), Viola von Cramon, ka thënë se nuk beson që Kosova do të mund të anëtarësohet në mënyrë të përshpejtuar në Organizatën Veri Atlantike, NATO.

Sipas saj, nuk duhet të rriten pritshmëritë se aplikacioni i Kosovës në NATO do të pranohej.

“Mund ta kuptoj se ky vend që ka vuajtur shumë në luftë dhe ende nuk ndjehet rehat në këtë fqinjësi. Ka gjithmonë vullnet dhe dëshirë që të siguroj një mbrojtje më të madhe dhe më shumë siguri nga Aleanca”.

“Por, të jem e sinqertë në këtë moment nuk e di se do ta kemi një mazhorancë në favor të kësaj, ose të themi që aplikacioni ka gjasa të vogla që të pranohet, por kjo nuk varet nga unë. Nuk do t’i kisha rrit pritshmëritë në këtë moment”, ka thënë Cramon për Radio Televizionin e Kosovës.

Raportuesja për Kosovën, nuk e ka të njëjtin mendim për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës (KE), porse thotë që kjo është punë e ekzekutivit të Kosovës, për çka ajo shpreson se bisedimet bilaterale do të shkojnë në favor të Kosovës.

“Janë disa shtete në favor të anëtarësimit, shpresoj se bisedimet do të jenë në favor të Kosovës” dhe se  ajo shpreson që për këtë “do të arrihet mazhoranca”.

Sa i përket liberalizimit të vizave, Cramon ka thënë se pyetja tashmë duhet shtruar presidentit francez.

“Pyesni presidentin e Francës, unë nuk jam zëdhënësja e tij”, ka deklaruar ajo.

Ajo sërish i ka dërguar porosi Serbisë për sa i përket raporteve me Bashkimin Evropian (BE) dhe Rusisë, duke shtuar se shteti serb tashmë nuk mund të mbajë qëndrim edhe pro Perëndimit edhe pro Rusisë.

“Ne duhet të kemi një qëndrim të qartë të Serbisë se a janë në anën e agresorit apo të viktimës”.

“Fushata nga shumica e tabloideve në Serbi është e papranueshme dhe ne e shohim si diçka që duhet të tejkalohet dhe do të ishte edhe në interes të presidentit Vuçiç që t’i njoftoj qytetarët e vet në mënyrë të duhur dhe jo të përhapet propagandë ruse”, ka deklaruar Cramon për RTK-në.

Raportuesja për Kosovën në PE  gjatë muajit mars ka paralajmëruar se do ta vizitoj Kosovën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore