Lajme

Cramon i reagon Selakoviçit: Serbia t’i kërkojë falje punëtorëve vietnamezë për kushtet çnjerëzore


Raportuesja e Kosovës në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon

Raportuesja e Kosovës në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, i ka reaguar Ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviç, i cili i ka cilësuar si “propagandë politike ndaj Serbisë” lajmet për trajtimin jo të mirë të punëtorëve nga Vietnami në një fabrikë kineze në Serbi.

“Nuk mund ta marr më seriozisht këtë udhëheqje. Në vend që t’u kërkojnë falje punëtorëve vietnamezë për kushtet çnjerëzore (një vendim i duhur do të merrte përgjegjësinë për këtë), ata mbrojnë trafikimin e qenieve njerëzore dhe skllavërinë moderne duke më fajësuar mua. Bëni një kontroll dhe filloni të sundoni vendin tuaj”, ka shkruar Cramon në Twitter.

Selakoviç ka akuzuar disa eurodeputetët në krye me Viola Von Cramon, të cilët me anë të një deklarate thanë se ishin të tmerruar nga raportet e fundit të trafikimit të supozuar të qenieve njerëzore në Serbi me qëllim shfrytëzimin e punës dhe se fotot e tmerrshme, të dërguara nga kantieri i fabrikës kineze Linglong, tregojnë se skllavëria moderne po ndodh në kufijtë e Bashkimit Evropian.

“Eurodeputetja Viola Von Cramon na ka akuzuar për jo më pak se “skllavërinë moderne” dhe “trafikim të qenieve njerëzore me qëllim shfrytëzimin e punës”, në një mënyrë që konfirmon edhe një herë se detyra e saj është të mos përmirësohet niveli i demokracisë në Serbi, shkroi Selakoviç.

Nikola Selakoviç

“Ne presim kritika konstruktive nga zonja Von Cramon dhe çdo eurodeputetët tjetër, që do të ishte një nxitje për të ndryshuar diçka për mirë në Serbi”.

Eurodeputetët përmes një deklaratë të përbashkët kanë reaguar për trajtimin jo të mirë të punëtorëve nga Vietnami në një fabrikë kineze në Serbi.

Sipas tyre, është krejtësisht e papranueshme që shteti, i cili dëshiron të bëhet anëtar i BE-së, të tolerojë ndërtimin dhe mirëmbajtjen e një fabrike e cila sipas akuzave tregton njerëzit mbi punonjësit dhe shfrytëzon territorin pritës.

Punëtorët vietnamezë

“Vlerësohet se rreth 500 punëtorë vietnamezë jetojnë dhe punojnë në kantierin e kompanisë kineze Linglong. Raportet e dorës së parë japin një pamje të tmerrshme – një pamje të skllavërisë moderne në kufirin e Bashkimit Evropian” , thuhet në reagimin e eurodeputetëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore