Lajme

COVID-19: Vuçiç vaksinon serbët me vaksina kineze e ruse


Serbia ka vaksionuar më shumë se 450,000 të popullsisë së saj

Serbia ka vaksinuar në pothuajse dy javë më shumë se 450,000 persona të popullsisë së saj, normë kjo që tejkalon të gjitha shtetet e tjera në Evropë përveç Britanisë, sipas botimit shkencor “Our World in Data”.

Vaksinimi i tillë është duke u mundësuar pas furnizimit e vaksinës së gjigandit farmaceutik kinez Sinopharm.

Efikasiteti i Serbisë e ka bërë atë vendin më të shpejtë për vaksinim në Evropën kontinentale.

Përderisa shpërndarja nga Bashkimit Evropian është bllokuar për shkak të vonesave dhe polemikave, Serbia ka dalë e para duke siguruar marrëveshje me prodhuesit kinezë dhe rusë.

Ndonëse serbët mund të të përzgjedhin vaksinën e tyre të preferuar – Pfizer/BioNtech, Sputnik V dhe Sinopharm – vaksina kineze përbën pjesën më të madhe të injeksioneve.

Kjo është si rezultat i dërgesës prej një milion doza që Serbia pranoi në mes të janarit, e me të cilën nisi fushatën e saj të imunizimit masiv.

“Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, një udhëheqës populist që nuk e humb shansin për ta hedhur veten si hero në një krizë, ka përshkruar suksesin e vaksinimit si fryt i miqësive dhe diplomacisë së tij personale”, shkruan kanali i lajmeve “France24”.

“I shkrova Xi Jinping në tetor dhe çmimi u ul në mënyrë drastike”, tha Vuçiç për mediat lokale për “marrëveshjen e mirë” që ai bëri me homologun e tij kinez për vaksinën Sinopharm.

“Kur të shihni çmimin, ju do të ngrini një monument për nderin tim një ditë,” shtoi ai.

Në një vend të njohur për ritmin shkatërrues të burokracisë, butësia e përhapjes së vaksinave në të gjithë vendin ka qenë një befasi për disa.

“Të gjithë e dinin saktësisht se çfarë po bënin, kishte mjaft staf, të gjithë ishin të sjellshëm”, tha për AFP Snezana Krivokapic, një menaxhere e komunikimit 38 vjeçare pasi morri vaksinën.

Përveç vaksinave kineze, Serbia ka importuar gjithashtu mbi 30,000 vaksina Pfizer/BioNtech dhe 40,000 vaksina Sputnik V.

Vuçiç rishtazi ka njoftuar se “miqtë” e Serbisë do të dërgojnë edhe një milion doza para marsit, pa zbuluar ndonjë hollësi të mëtejshme.

Një gazetë pro-qeveritare e përmblodhi këtë situatë në titullin “Vuçiç, Putini dhe Xi po shpëtojnë Serbinë”.

Një narrativë e tillë po zhvillohet përderisa BE përballet me akuza për neglizhencë të fqinjëve të saj të Ballkanit Perëndimor në garën e vaksinave.

Përveç Shqipërisë, Serbia është i vetmi vend në rajon që ka filluar imunizimin falë marrëveshjeve të saj me kompanitë farmaceutike.

Qeveritë e Ballkanit Perëndimor u neglizhuan sa i përket përhapjes së vaksinimit të BE-së në dhjetor dhe janë ende duke pritur për vaksinat që iu janë premtuar përmes mekanizmit COVAX, një iniciativë e themeluar për të ndihmuar vendet e varfra.

Lidhja e Serbisë me Pekinin

Kina u cilësua si e suksesshme në krahasim me dështimin e BE-së në fillim të pandemisë, kur Serbia dha mbulim të madh të dërgesës së shpejtë të Kinës me maska dhe pajisje të tjera ndërsa i kushtonte pak vëmendje ndihmës së ngjashme të BE-së.

Pekini dhe Beogradi janë bërë gjithnjë e më të afërt në vitet e fundit, duke e kthyer Serbinë në pikën kryesore për projektet ekonomike dhe ndikimin e Kinës në Evropë.

Kështu, duke futur Beogradin në borxh të Pekinit për një seri huash në infrastrukturë, analisti serb Stefan Vladisavljev ngriti çështjen se çfarë u ofrua në këmbim të dozave të vaksinës.

“Duke marrë parasysh natyrën e bashkëpunimit të tyre gjatë dekadës së fundit… ne mund të konkludojmë se Serbia duhet të ketë bërë ndonjë matematikë në mënyrë që të sigurojë këtë dërgesë”, i tha ai AFP-së.

Nga ana e tij, Pekini është gjithashtu i motivuar të “pozicionojë veten si udhëheqës global në luftën kundër Covid-19”, shtoi ai.

Në kuadër të BE-së, Hungaria është i vetmi shtet anëtar që miraton vaksinat kineze dhe ruse, duke pretenduar se ka porositur pesë milion doza të vaksinës së Sinopharm.

Kryeministri hungarez Viktor Orban nderoi “shembullin frymëzues” të Serbisë – dhe e quajti vendin një “laborator” për të parë se si funksionon vaksina e Sinopharm.

Sinopharm thotë se vaksina e saj, e cila quhet Velo dhe përdor një virus të inaktivuar, është 79 për qind efektive, megjithëse skeptikët perëndimorë vërejnë mungesën e transparencës dhe të dhënave nga provat klinike.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore