Shqipëria

COVID-19/ Shqipëria më mirë se rajoni, por jo për vaksinimet


Beteja me COVID-19 në gjithë botën, zhvillohet prej një viti e gjysmë, me shtetet që janë në luftë të hapur me virusin dhe me gjetjen e një rruge për normalizimin e jetës sociale dhe ekonomike.

Një “betejë”, po zhvillohet edhe për çështjen e limitimit të fataliteteve nga COVID-19. Për këtë çështje, Shqipëria ndodhet në pozitat më të mira në rajon për sa i përket incidencës javore.

Kjo, sipas të dhënave nga revista shkencore Our World in Data, e cila publikon rregullisht përditësime për situatën epidemiologjike në gjithë botën.

Me 2.37 vdekje për 1 milion banorë, Shqipëria është vendi me numrin më të ulët të vdekjeve nga COVID-19. Gjatë javës së fundit, edhe Kosova ka parë një rënie të numrit të të vdekurve, pas një periudhe me rekorde negative të fataliteteve nga COVID. 3.1 persona për milion banorë vdesin në Kosovë nga virusi.

Serbia ndodhet në 5.77 vdekje për milion. Ndjek Bosnjë dhe Hercegovina me 9.59 të tilla, Maqedonia e Veriut me 9.6 dhe shifrat më të larta i ka Mali i Zi me 12.05 vdekje për milion banorë.

Vdekje për milion banorë në javën e fundit

Të dhëna të tjera interesante janë ato të përqindjes së fataliteteve krahasimisht me rastet e regjistruara.

Në këtë pjesë, Serbia dhe Shqipëria janë dy vendet me shifra më të mira në rajon. Madje, ato tejkalojnë edhe mesataren e Bashkimit Evropian dhe gjithë botës.

Vetëm 0.63% e serbëve të infektuar kanë humbur jetën nga COVID-19. Nga shqiptarët, 0.9% e tyre humbën jetën nga virusi.

Mesatarja e BE-së është 1.16%. ndërsa, Kosova është në 1.23%, Mali i Zi në 1.28% dhe mesatarja botërore në 1.51%.

Shifrat më të larta i regjistrojnë Maqedonia e Veriut me 4.28% dhe Bosnjë dhe Hercegovina me 4.43%.

Vdekje për raste të COVID-19
Rastet në rritje, vaksinimet jo mjaftueshëm

1.7 milionë vaksinime janë kryer në tërësi në Shqipëri që prej fillimit të fushatës. Gjithsesi, kjo shifër, përkon me përqindjen e dytë më të ulët në rajon, sa i përket popullsisë së vaksinuar.

Vetëm 32% e shqiptarëve kanë marrë të paktën një dozë sipas Our World in Data. Procesin tërësisht e ka përmbyllur 26% e popullsisë.

Vendi i vetëm që Shqipëria lë pas, është Bosnjë dhe Hercegovina, e cila ka arritur të vaksinojë vetëm 19% të popullsisë. Plotësisht, edhe më pak, vetëm 13%.

Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi kanë vaksinuar përkatësisht 37% dhe 38% të popullatës. Por, Maqedonia e Veriut, 34% i ka të vaksinuar plotësisht, ndërsa Mali i Zi, 33%.

Kosova ka vaksinuar 39% të qytetarëve. Pavarësisht këtij fakti, shifra e atyre që e kanë përfunduar procesin, është edhe më e ulët se Shqipëria, me vetëm 25%.

Serbia e kryeson rajonin me 44% të popullsisë së vaksinuar. 42%, me proces të përfunduar.

Sërish, shifrat ballkanike janë larg BE-së, ku janë vaksinuar 67% e popullsisë me të paktën një dozë.

Shifrat pë vaksinimin e popullsisë

Rastet e reja ndërkaq, janë ato ku Shqipëria çalon më së shumti gjatë javës së fundit. Ajo ka numrin e tretë më të lartë të rasteve të reja për milion banorë, me 257 të tillë çdo ditë.

Sërish, kjo shifër është e largët nëse e krahason me vende si Serbia apo Mali i Zi. Thuajse 945 raste ditore është incidenca javore në Serbi dhe 809 ajo në Mal të Zi.

Bosnja ndjek Shqipërinë me 216 raste, Maqedonia e Veriut me 205, ndërsa mesatarja e BE-së është 102.

Kosova, e cila pa një rritje eksponenciale rastesh të reja javët e shkuara, këtë javë ka parë ulje të ndjeshme. Vetëm 63 raste të reja për milion banorë rezultojnë pozitive çdo ditë. Kjo përkon edhe me mesataren botërore të incidencës.

Rastet e reja për milion banorë gjatë javës së fundit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore