Shqipëria

Covid-19: Reduktohet fasha orare e lëvizjes prej 24 dhjetorit


Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka bërë me dije vendimin e Komitetit të Ekspertëve për reduktimin e fashës orare të lëvizjes, prej orës 06.00 – 20.30.

Kjo fashë orare do të jetë e vlefshme nga data 24 dhjetor deri në 4 janar, ndërkohë që prej datës 5 janar do të rikthehet fasha orare e cila ka qenë në fuqi gjatë muajit të fundit, 06.00 – 22.00.

Kufizim do të kenë edhe baret dhe restorantet që ofrojnë shërbim për klientët gjatë orës policore, ku i lejuar, ashtu sikundër gjatë gjithë kësaj kohe, do të jetë vetëm shërbimi i dërgesave në shtëpi.

Këto masa vijnë për shkak të riskut që mund të sjellin grumbullimet gjatë periudhës së festave të fundvitit.

Përsa i përket personave që duhet të punojnë jashtë fashës orare të vendosur, do të vijojë të përdoret leja e daljes nëpërmjet portalit e-albania. Lejet do të përfshijnë dhe arsye të domosdoshme të lëvizjes për qytetarët.

Ministrja Manastirliu, deklaroi se Komiteti i Ekspertëve ka vëzhguar gjendjen epidemiologjike në vend gjatë 51 javëve të pandemisë, duke dalë në përfundimin se kemi një gjendje të qëndrueshme në lidhje me rastet pozitive për 100 mijë banorë apo me pozitivetin e rasteve të reja.

Edhe gjendja në spitale paraqitet e qëndrueshme, me 63.7% të shtretërve të zënë në spitalet Covid dhe vetëm 25.3% të shtretërve të reanimacioneve të zëna në spitalet Covid.

Ndërkohë, edhe në spitalet rajonale, përkatësisht në shërbimin e urgjencave, ka filluar testimi i rasteve të përfshira në udhëzimin e Institutit të Shëndetit Publik, jo vetëm me anë të testit PCR por tashmë edhe me anë të testit të shpejtë të antigenit.

Në fund të fjalës së saj. Manastirliu ka lënë të hapur mundësinë për ndryshimin e masave, në varësi të dinamikës që do të paraqitet përgjatë ditëve në vijim./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore