Shqipëria

Covid-19/ Përgjysmim i rasteve të reja dhe vdekjeve gjatë marsit


Muaji i marsit ka qenë një muaj i mirë për situatën e Covid-19 në Shqipëri. Gjatë fillimit të pranverës, rastet e reja dhe vdekjet nga coronavirusi, është përgjysmuar.

Kështu, gjatë javës së parë të marsit, ka pasur një mesatare pre 949 rastesh ditore. Tashmë që ndodhemi në fund të muajit, mesatarja javore është prej 411 rastesh të reja.

Po e njëjta gjë ndodh edhe me vdekjet. Në javën e parë të marsit, mesatarja javore e vdekjeve ishte 20. Në mbyllje të muajit kjo mesatare është përgjysmuar, duke shkuar në 10.

Pavarësisht se kemi një trend tërësisht rënës që prej fundit të shkurtit, masat kundër Covid-19 kanë mbetur po të njëjtat prej muajsh tashmë. Ora policore nga 20.00 deri në 06.00, vazhdon të jetë aktive. Mbajtja e maskave në ambiente publike gjithashtu.

Gjithësi, këto masa mund të jenë ndikueset e drejtpërdrejta në përmirësimin e situatës epidemiologjike në vend.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka pohuar për Albanian Post se “respektimi i masave të vendosura nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, është thelbësor për lehtësimin e situatës epidemiologjike në vend”.

“Rivlerësimi bëhet vetëm nga Komiteti i Ekspertëve. Ata vendosën se edhe dy javë do të vazhdojnë masat. Vlerësimi është dinamik. Më e mira do të bëhet për të siguruar lehtësimin e situatës epidemiologjike”.

Kjo rënie e kurbës së infektimit përkon edhe me fillimin e vaksinimit në Shqipëri. Gjithsesi, efekti i vërtetë i vaksinimit masiv, pritet të shfaqet në javët pasardhëse.

Ky i fundit, ka nisur prej tre ditësh tashmë, në disa qendra në gjithë Shqipërinë.

Nga kryeministri Edi Rama, është premtuar se brenda majit do të vaksinohet gjysmë milion shqiptarë. Gjithashtu, sezoni veror do ta gjejë Shqipërinë në kushte optimale sipas kryeministrit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore