Covid 19

Covid-19: Pandemia e stresit, ankthit dhe depresionit


Telepsikologjia: Zhvillimi dhe promovimi i mirëqenies mendore

 

Telepsikologjia: Zhvillimi dhe promovimi i mirëqenies mendore

Covid-19 ka pasur shumë ndikime që prej fillimit të pandemisë, por ndër më kryesorët mbetet ai mbi shëndetin mendor, i cili cënohet për shkak të frikës, pamundësisë për të qenë social, izolimit dhe ndryshimit të vazhdueshëm të masave për të parandalur përhapjen.

Që prej ardhjes së rastit të parë me Covid-19 në  Shqipëri, janë gjurmuar 42.988 raste pozitive dhe ka pasur 905 humbje jete. Aktivë ndërkohë, mbeten ende rreth gjysma e rasteve.

Këto janë shifra të konsiderueshme, por një tjetër aspekt i pandemisë që po shkakton po kaq dëme është ndikimi psiko – social që ajo ka jo vetëm tek të prekurit, por tek e gjithë popullata.

Studime të ndryshme janë ndërmarrë për të vëzhguar këto efekte në gjithë botën dhe ashtu siç pritej, shifrat që i referohen kryesisht stresit, ankthit dhe depresionit kanë qenë të larta.

Studimet e para që erdhën nga Kina, tregonin shtim të të tre çrregullimeve të gjendjes emocionale, kryesisht tek të rinjtë, të cilët e kishin të pamundur të ndërvepronin në person me bashkëmoshatarët e tyre për shkak të izolimit. Qëndrat urbane, ishin më të prekurat.

Ndërkohë në 2 tetor, revista shkencore Frontiers in Psychology, publikoi një studim që lidhej me impaktin e Covid-19 në mirëqenien mendore. Sërish shifrat nuk ishin aspak të pëlqyeshme.

Sipas studimit, i cili u ndërmor kryesisht në Itali dhe Spanjë me një kampion prej 1.143 prindërish të fëmijëve nga 3-18 vjeç, rezultoi se vetë ata dhe fëmijët e tyre shfaqnin shenja të dukshme të stresit. Pjesa më e madhe e lidhnin me faktin se ndiheshin të mërzitur, kishin vështirësi të përqendroheshin apo ndiheshin nervozë dhe të vetmuar.

Por ky studim, shkon një hap më tutje, duke marrë të dhëna dhe nga njerëzit që punojnë në fushën e shëndetësisë dhe janë në vijën e parë, të dytë apo të tretë të betejës. Këtu, studiuesit bëjnë një krahasim me virusin SARS të vitit 2003.

Sipas studimit nga e njëjta revistë shkencore, për shkak të SARS-it në 2003, 50% e punonjësve në sistemin shëndetësor vuajtën pasoja psikologjike si stresi, sfilitja, stresi post – traumatik. Të gjitha këto të shkaktuara nga frika se mos bëheshin shkak për të transmetuar virusin tek pjesëtarët e tjerë të familjes dhe izolimit të gjatë që patën.

Ndërkohë, sot, për shkak të Covid-19, niveli i stresit tek punonjësit e sistemit shëndetësor në Itali dhe Spanjë është në shifrën e 71.5%! Ajo që shihet me më shumë shqetësim, është fakti se janë rritur dhe ankthi (44.6%), por mbi të gjitha depresioni (50%).

Në Shqipëri ende nuk ka studime të mirëfillta për të mbledhur të dhëna mbi nivelin e stresit, ankthit dhe depresionit tek e gjithë popullata apo kategori të veçanta. Gjithsesi, fakti është se në pak muaj, në dy spitale ku trajtohen pacientët me Covid, janë vetëvrarë pesë pacientë duke u hedhur nga dritaret e dhomave të tyre.

Me anë të kësaj nuk mund të kemi të qartë se në çfarë nivelesh të stresit, ankthit dhe depresionit ndodhemi, por mund të deduktojmë se situata mund të jetë e ngjashme me atë të dhënë në studimin e mësipërm.

Por çfarë mund të bëjnë strukturat për të ndihmuar popullsinë ta përballojë me sukses mendërisht këtë pandemi?

Sot jemi me fat që kemi në jetën tonë lehtësime shumë të mëdha teknologjike. Shpesh, teknologjia gjatë pandemisë, apo dhe më parë, ka shërbyer negativisht, duke mbingarkuar me informacion të gjithë dhe duke shkaktuar probleme të shumta psikologjike. Por sot, më shumë se kurrë, teknologjia po përdoret për të luftuar pasojat negative të pandemisë.

Telepsikologjia është një term i ri i prezantuar për publikun, i cili përfshin zhvillimin dhe promovimin e mirëqenies mendore, duke respektuar dhe faktorin e distancimit social që duhet të kemi në këto kohë. Jo vetëm informacionet, por edhe asistenca psikologjike, tashmë mund të jepet qoftë nëpërmjet telefonit, qoftë online.

Media luan një rol thelbësor në përçimin e mesazheve të duhura ndaj popullsisë. Pavarësisht faktit se media duhet të informojë, në këtë rast duhet dhe të promovojë shëndetin mendor. Programacionet në këtë fushë duhet të jenë më të larmishme dhe më argëtuese, për t’i dhënë publikut shpirtin e duhur për përballimin e pandemisë.

Në të gjithë botën, përfshi Shqipërinë, strukturat shtetërore kanë ngritur qendra virtuale të dhënies së asistencës psikologjike në kohë reale duke ruajtur distancën.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka vënë në dispozicion për të gjithë, numra të gjelbër për asistencë psikologjike. Të njëjtën gjë ka bërë dhe Urdhri i Psikologut në Republikën e Shqipërisë, ku është ngritur një strukturë psikologësh, të cilët ofrojnë asistencë psikologjike falas nëpërmjet telefonit.

Në këtë mënyrë, tërësisht anonime për njerëzit, mund të mblidhen dhe të dhëna apo të dalin statistika mbi pasojat psiko – sociale të pandemisë, për të ndërhyrë më pas aty ku duhet në një çast të dytë.

Humbja e çdo jete për shkak të Covid-19 është e trishtë, por është akoma më e trishtë të kuptosh se ata që mbeten në jetë, mund të kenë pasoja të rënda në shëndetin e tyre mendor.

Sot është Covid. Nesër mund të jetë një pandemi tjetër, që shkakton po kaq stres, ankth, depresion tek të gjithë.

Sot, jemi ne të cilët përballemi me pasojat, të tanishme dhe të mëvonshme.

Nesër, do të jemi po ne, ata që duhet të kuptojmë si nuk mund të na mposhtë mendërisht një Covid i dytë!

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore