Lajme

Covid-19: Pacientët e intubuar në stres post-traumatik


Sipas studimeve, një në tre pacientë të infektuar me Covid-19, të intubuar, përjetojnë simptoma të gjera të çrregullimit të stresit post-traumatik (PTSD). Ky i fundit ka ndikim të lartë në shëndetin mendor të pacientëve të infektuar.

Studimi

Studimi për 13 mijë e 49 pacientë, të konfirmuar ose të dyshuar me Covid-19, tregoi se një në pesë persona në spital, por jo në intubim, përjetonin simptoma të gjera të stresit PTSD-së. Ky studim u bë nga Kolegji Imperial në Londër dhe Universiteti i Southampton-it. Simptoma më e zakonshme e PTSD-së, të cilën e përjetuan pacientët me Covid-19, ishte shfaqja e imazheve, të njohura edhe si kthim pas në kohë. Shembuj të këtyre mund të jenë imazhet e mjedisit të Njësisë së Kujdesit Intensiv (ICU), mjekët e ICU-së të veshur me pajisje të plota mbrojtëse, ose pacientë të tjerë në këtë njësi.

Studimi, i botuar në Kolegjin Mbretëror të Psikiatërve, ditën e martë, zbuloi nivele më të ulëta të simptomave të PTSD-së për ato pacientë, të cilët ndihmën mjekësore e marrin në shtëpi. Raporti i tyre është afërsisht një në gjashtë persona. Niveli i PTSD-së për pacientët që nuk kërkonin ndihmë në shtëpi, por kishin probleme me frymëmarrjen, raportohet një në dhjetë persona.

Doktori Adam Hampshire

“Ne mund të shohim se pandemia mund të ketë një ndikim akut dhe të qëndrueshëm. Këtu pëfshihen një pjesë e konsiderueshme e pacientëve, të cilët qëndruan në shtëpi me probleme të frymëmarrjes dhe nuk morën ndihmë mjekësore. Kjo dëshmi mund të jetë e rëndësishme për informimin e terapisë në të ardhmen dhe për zvogëlimin e barrës shëndetësore afatgjatë të kësaj sëmundjeje”, deklaroi doktori i Kolegjit Imperial në Londër, Adam Hampshire. Simptomat e PTSD-së mund të fillojnë menjëherë, ose pas një vonese. Zakonisht simptomat vijnë brenda gjashtë muajve nga ngjarja traumatike dhe mund të vazhdojnë me vite nëse nuk trajtohen si duhet.

Të dhëna

Të dhënat e përdorura në studim janë kontrolluar për një sërë faktorësh. Këtu përfshihet mosha, gjinia, etnia, të ardhurat dhe historia mjekësore. Ato u mblodhën në maj të vitit të kaluar (2020) përmes një sondazhi në internet. Kjo si pasojë e një studimit të shkencës qytetarë. Shifrat e fundit zyrtare tregojnë se më shumë se 3 mijë njerëz janë aktualisht në intubim në Britaninë e Madhe. Më shumë se 400 mijë pacientë janë shtruar në spital që nga fillimi i pandemisë. Nga 13 mijë e 49 njerëz që morën pjesë në studim, 9 mijë e 200 u raportuan se nuk kishin përjetuar probleme me frymëmarrjen. 3 mijë e 466 raportuan probleme të frymëmarrjes, por që nuk kërkonin ndihmë mjekësore. 176-të u raportuan se kishin probleme me frymëmarrjen dhe ndihmë në shtëpi. 147-të u  raportuan në spital, pa pasur nevojë për një respirator. 60-të u raportuan të pranuar në spital, duke përfshirë edhe intubimin.

Doktori Adrian James

“Kujdesi efektiv duhet të sigurohet. Shërbimet e shëndetit mendor duhet të zgjerohen në mënyrë të barabartë, për të trajtuar numrin në rritje të njerëzve me simptoma të PTSD-së”, tha doktori Adrian James, President i Kolegjit të Psikiatërve.

Çrregullimi i stresit post-traumatik (PTSD) është një gjendje e shëndetit mendor e shkaktuar nga një ngjarje e frikshme. Ai shkakton prapambetje, makthe dhe ankth të rëndë.

Dispozitat e duhura psikiatrike për individë të tillë do të kenë një rëndësi të madhe.

 

Përshtatur për The Guardian nga Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore