Lajme

Covid-19, Italia karantinë pesëditore udhëtarëve nga BE-ja


Qeveria italiane do të vendosë një karantinë të detyrueshme pesëditore për udhëtarët e Bashkimit Evropian (BE).

Vendimi i 30 marsit vjen pas rregullave të reja në Gjermani.

Sipas këtyre të fundit, të gjithë pasagjerët, që fluturojnë drejt Gjermanisë, duhet të sigurojnë një test negativ të coronavirusit.

Gjermania mbetet nën një bllokim të pjesshëm, edhe pse rastet e coronavirusit vazhdojnë të rriten.

Të martën, ministri i Brendshëm gjerman, Horst Seehofer, njoftoi se vendi do të rrisë kontrollet në kufijtë e tij tokësorë për të siguruar koordinim me rregullat e reja.

Kufizimet e vendosura nga Gjermania ndaj udhëtarëve u njoftuan të premten e 26 marsit. Kreu i Institutit të Shëndetit Publik të vendit paralajmëroi se numri i rasteve ditore mund të rritet në 100 mijë, nëse vazhdon vala e tretë.

Pezullimi i përdorimit të AstraZeneca-s

Qyteti i Berlinit njoftoi të martën se ka ndaluar përdorimin e vaksinës AstraZeneca për personat nën 60 vjeç si një “masë paraprake”. Kjo, pas konfirmimit të 31 rasteve të mpiksjes së gjakut pas vaksinimeve në Gjermani.

Në kryeqytet, dy spitale kanë ndaluar vaksinën për gratë nën 55 vjeç, për shkak se rrezikojnë mpiksje të gjakut.

Lajmi erdhi pasi Komiteti i Vaksinave të Kanadasë njoftoi se do të ndalonte përdorimin e vaksinës të AstraZeneca te personat nën moshën 55 vjeç.

Të martën, kryeministri italian Mario Draghi dhe gruaja e tij, Maria Serenella Cappello, morën dozat e para të vaksinës AstraZeneca, pasi vendi rifilloi përdorimin e vaksinës.

Në muajin prill, sipas Draghi-t, vaksinimet në Itali do të rriten në gjysmë milioni në ditë.

Ndërkohë, shefi i Shëndetit të Siçilisë, Ruggero Razza, ka dhënë dorëheqjen dhe disa zyrtarë të tjerë janë vendosur në arrest shtëpie, pasi akuzohen se rajoni ka përgënjeshtruar numrin e infeksioneve për të shmangur bllokimin e vendit.

Një numër i zonave të Italisë janë përcaktuar si zona të kuqe dhe janë vendosur nën bllokim. Ndërsa, i gjithë vendi është duke u përballur me një mbyllje treditore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore