Kultura

Copëza të reja po i shtohen “hartës biblike”


Fragmente të reja të teksteve të lashta hebraike, të cilat datojnë afërsisht 2 mijë vjet përpara, janë zbuluar rishtazi në “Shpellën e Tmerrit”. Shpella ka marrë këtë emër pasi brenda saj, disa dekada më parë, janë gjetur dhjetra skelete njerëzish.

Zbulimi është njoftuar të martën nga Autoriteti Izraelit i Antikitetit [16 mars] dhe përfaqëson kulmimin e një kërkimi arkeologjik shumëvjeçar në Shkretëtirën Judaike.

Në mbi 60 vjet kërkim nga arkeologët për atë çka u quajt “Dorëshkrimet e Detit të Vdekur”, copëzat përbërëse janë centimetrike dhe milimetrike.

Një tufë e mirë fragmentesh të dorëshkrimeve antike janë gjetur gjatë kësaj ekspedite, përfshirë dhe pjesë nga përkthimi në greqisht i librit biblik të Zaharias dhe Nahum, i cili përket shekullit të dytë Pas Erë së Re.

Për më tepër, ekipi i arkeologëve zbuloi një monedhë 1 mijë vjeçare, mbetjet e një trupi fëmijë të mumifikuar minimalisht 6 mijë vjet i vjetër dhe, një shportë që diskutohet të shkoj deri në 10 mijë e 5 qind vjet para.

“Zbulimet nuk janë të rëndësishme vetëm për popullin tonë, por për gjithë botën”, u shpreh Avi Cohen, Drejtori Ekzekutiv i Ministrisë së Punë dhe Trashëgimisë Izraelitë për Washington Post.

Pjesa me e madhe e Doreshkrimeve të Detit të Vdekur, fillimisht janë gjetur dhe grumbulluar në Shkretëtirën Judaike, gjatë viteve 1940 – 1950. Gjatë asaj kohe, janë zbuluar rreth 1 mijë dorëshkrime nëpër shpella të ndryshme përreth shkretëtirës, që përkojnë me periudhën e Tempullit të Dytë të Izraelit (rreth viteve 516 PES); pjesë thelbësore e historisë së Izraelit.

Këto dorëshkrime konsiderohen ndër zbulimet më të vlefshme në shekullin 20, sepse përmbajnë disa nga materializimet më të hershme në shkrim, të cilat kanë “ndërtuar” atë që sot njihet me emrin Bibla Hebraike.

Pas një restaurimi të disa prej copëzave, arkeologët i bashkuan dhe arritën të zbardhin një nga psalmet e Librit të Zaharias:

8:16-17

Këto janë gjërat që duhet të bësh: Fol të vërtetën me njëri-tjetrin, përcill të vërtetën dhe përsos drejtësinë brenda portave të tua. Kurrë mos shpik urrejtje ndaj llojit tënd dhe mos adhuro gënjeshtrën, sepse të gjitha këto janë gjëra të cilat unë i urrej – deklaroi Zoti”.

Vlera e prezencës së këtyre shkrimeve do të jetë një ndihmesë e vyer për studiuesit dhe dijetarët biblik, si dhe ata që hulumtojnë religjionet e lashta, në mënyrë që të hedhin më shumë dritë drejt evolucionit të Biblës Hebraike dhe dorëshkrimeve të ndryshme arkaike, të cilat kanë qenë pjesë themelore në formësimin e historisë dhe kulturës botërore.

“Kur mendojmë për tekste biblike, natyrshëm na vjen ndërmend diçka e palëvizshme” – shprehu kreu i skuadrës për kërkimin e Dorëshkrimeve të Detit të Vdekur, Joe Uziel për Associated Press.

“Por, ato ishin çdo gjë veçse të palëvizshme. Ndryshojnë pak midis njër-tjetrës dhe pikërisht ato ndryshime janë shumë të rëndësishme”, përfundoi Uziel.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore