Përballje

Copa America: Brazili shkëlqen ndaj Peru-së, Kolumbia ndalet nga Venezuela


Brazili e ka mposhtur Peru-në, me rezultat 4:0 në ndeshjen e dytë të Grupit B, në Copa America.

Brazilianët arritën t’i zhbllokojnë shifrat shumë shpejt, ku në minutën e 12-të, Alex Sandro shënoi një gol të bukur pas një asisti të Gabriel Jesus.

Pavarësisht përpjekjeve dhe lojës së bukur të brazilianëve, pjesa e parë nuk prodhoi më gola, me dy skuadrat që shkuan në dhomat e zhveshjes me rezultat 1:0.

Pjesa e dytë nisi me dy zëvendësime te Brazili me trajnerin Tite, që futi në lojë Richarlison dhe Everton Ribeiron.

Në minutën e 64-t, “ylli” i Paris Saint Germain, Neymar, shënoi një gol të bukur nga distanca, për të dyfishuar epërsinë në 2:0.

Kur ndeshja erdhi drejt fundit, dy zëvendësimet, Richarlison dhe Ribeiro, shënuan edhe dy gola për brazilianët në minutën e 89-të dhe 92-të, për rezultatin përfundimtar 4:0.

Brazili, me këtë fitore, ka siguruar kalimin e grupeve, pasi gjendet në vendin e parë me gjashtë pikë, kurse pas tij vjen Kolumbia me dy pikë më pak.

Më herët, Kolumbia nuk shkoi më shumë se një barazim dëshpërues përballë Venezuela-s.

Venezuela paraqitet në Copa America, me një skuadër thuajse të dytë, pas problemeve që hasën me coronavirus, pak orë para fillimit të kompeticionit më të rëndësishëm të futbollit në Amerikën Latine.

Kolumbianët shpërdoruan shumë raste për të shënuar gol në këtë ndeshje, pavarësisht që paraqiteshin me një skuadër shumë të mirë.

Megjithatë, edhe Kolumbia ka siguruar kalimin e grupeve, pasi që katër nga pesë skuadrat, kualifikohen në fazën e eliminimit direkt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore