Lajme

Conte: Vonesa e vaksinave është e “papranueshme”


Kryeministri italian, Giuseppe Conte, në një status të publikuar në facebook ka thënë se vonesa në furnizimin e vaksinave të coronavirus-it nga Pfizer dhe AstraZeneca është “e papranueshme”.

Të dyja kompanitë, kanë paralajmëruar se nuk do të jenë në gjendje të dorëzojnë vaksinat në Bashkimin Evropian (BE) siç është rënë dakord. Kjo për shkak të çështjeve të prodhimit.

Conte i ka akuzuar ato për shkelje serioze të kontratës. Ai u zotua të përdorë “të gjitha mjetet ligjore në dispozicion”.

“Vonesa të tilla në dërgesa, përfaqësojnë shkelje të rënda kontraktuale. Këto shkaktojnë dëme të mëdha në Itali dhe në vendet e tjera”, shtoi Conte.

“Italia do të ndërmarrë veprime ligjore kundër Pfizer-it dhe AstraZeneca-s rreth vonesave në shpërndarjen e vaksinave COVID-19. Por nuk do të kërkojë dëmshpërblim”, tha ministri i Jashtëm Luigi Di Maio, në televizionin shtetëror RAI.

Vaksina AstraZeneca, nga Universiteti i Oksfordit, nuk e ka marrë akoma miratimin e BE-së. Megjithatë rregullatori i ilaçeve të BE-së pritet t’i japë dritën jeshile në fund të këtij muaji.

Një zëdhënës i AstraZeneca tha të premten se, “vëllimet fillestare do të jenë më të ulëta nga sa parashikoheshin në fillim” pa dhënë detaje të mëtejshme.

Javën e kaluar, Pfizer, njoftoi do të ngadalësojë furnizimet në Evropë. Kjo për shkak të rritjes së kapacitetit të prodhimit. BE ka kërkuar 600 milionë doza nga Pfizer.

Një zyrtar i lartë italian i shëndetësisë ka paralajmëruar se vendi do të duhet të rimendojë programin e tij të vaksinimit nëse çështjet e furnizimit vazhdojnë.

Zhgënjimet e vendeve të rajonit

Kritika dhe zhgënjime ka pasur në të gjithë rajonin. Kjo në lidhje me shpejtësinë e përhapjes së vaksinimeve.

Qeveria e Hungarisë, e cila është ankuar, ka arritur një marrëveshje me Rusinë. Ajo ka blerë sasi të mëdha të vaksinës Sputnik V, edhe pse nuk ka marrë miratimin e BE.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha të enjten se zyrtarët e BE-së po shqyrtonin të gjitha idetë për të ndaluar vonesat e vaksinave në të ardhmen.

“Të gjitha mjetet e mundshme do të shqyrtohen për të siguruar furnizim të shpejtë. Këtu përfshihen dhe shpërndarjet e hershme për të shmangur vonesat”, tha ai./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore