Film

Commedia dell’Arte dhe Arlekini


Commedia dell’Arte është ‘teatër i aktorit’ për shkak të rolit qendror të aktorit në krijimin performancave përmes vetëkrijimit të rolit dhe imazhit të tij, ku aktori është në të njëjtën kohë skulptues, por dhe vetë skulptura e dramës, me improvizime të llojllojshme.

Commedia dell’Arte e origjinën e ka në shekullin e gjashtëmbëdhjetë në Itali si teatër popullor ku aktorët krijonin rolet e tyre në skenë, duke improvizuar dialogë nga skenarë të komploteve, që përdorin në shumë raste edhe humor tmerrësisht ofendues, të papërmbajtur.

Shfrytëzohen edhe imazhe, diskurse, mjete fyese të papara më herët në histori të teatrit, një gjë që kritiku letrat dhe filozofi Mikhail Bakhtin e përshkruan se “…përfaqëson kulmin në historinë e së qeshurës”.

Commedia dell’Arte si formë e teatrit, me format e saja më karnevaleske ka për qëllim të na e shpalosë natyrën e përjetshme njerëzore dhe elementet kryesore të komedisë njerëzore në mënyrat më komike dhe më vulgare.

Scot McGehee, regjisor dhe skenarist amerikan, ‘Commedia dell’Arten’-në e sheh siinskenimi i një mikrokozmosi të forcave shoqërore që janë në konflikt dhe në të cilën edhe audienca luan rolin e saj konspirues. Dhe së fundmi, teknika estetike e ‘realizmit grotesk’ si një mjet për ta dëbuar nga froni atë që është e lartë, abstrakte, e shenjtë dhe t’ia nënshtrojë përmbysjes së saj komike.”[1]

Një nga personazhet më interesante të Commedia dell’Arte-së është shërbëtori Arlekin. Ky personazh i ndërtuar fillimisht si një shërbëtor i dorës së dytë  nga lugina e poshtme e qytetit të Bergamos së Italisë veriore zhvillohet më tutje në historinë e teatrit si një shakaxhi, i marrë, djallëzor, i mençur, i shkathët dhe një nga personazhet më të dashura dhe më sfidues të audiencës. Ai është simboli dhe esenca e teatrit dhe letërsisë karnevaleske.

Nëse kthehemi në Italinë e Mesjetës dhe shtrojmë vështrimin te besimi i krishterë, aty gjejmë burimin e këtyre formave inovative; na mjafton të kujtojmë besimin se ‘Zoti krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së tij’.

Çfarëdo që përfaqëson të Mirën dhe Zotin, ajo ka shëmbëlltyrë të së Bukurës; kurse e ‘Shëmtuara’ është e negacion, mallkim, djallëzore, dhe simbolizon të Keqen.

Është pikërisht alternimi dhe zbehja e dallimeve mes të bukurës e të shëmtuarës, ajo që do të marrë trajta të larta artistike në këtë zhanër të ri të teatrit.

Nëse Kisha Romake kishte për qëllim që përmes maskave të shëmtuara që vishnin aktorët të konfirmonte e ta shtynte përpara propagandën e saj religjioze për dënimin dhe përbuzjen e së ligës, njerëzit shumë shpejt zunë ta identifikonin veten me këta pamje groteske, djallëzore, të errëta; dhe pikërisht ky kontrast propagandistik mes dritës/errësirës, së mirës/keqes, djajve/engjëjve, të bukurës/shëmtuarës, te njerëzit fillon të shihet si një konflikt mes skllavit dhe padronit, mes të varfrit dhe të pasurit.

Arlekini si personazh që i sintetizon të gjitha elementet e asaj kohe shndërrohet në një kampion të masave me të cilin ata mund të identifikohen fare lehtë. Ai vjen nga shtresat më të ulëta dhe më të margjinalizuara të shoqërisë dhe nga ‘djajtë e shëmtuar të pyllit’, që përfaqëson realitetin e ashpër  të kohës, dëshpërimin, pikëpamjet e pamëshirshme për jetën, me një mençuri të lartë por me impulse të pafrenuara.

Personazhi i tij, instinktet, dëshirat, ashpërsia, talentet, sensi i tij i humorit, i kanë  rrënjët te të gjithë spektatorët. Ai ishte ‘momenti’ i karnevalit, kur bota kthehej përmbys, ku i varfëri vishej si mbret, ku pagani vishej si prift,  ku ‘djalli predikonte nga foltorja e Kishës’; që maska e karnivalit ju siguronte imunitet festiv të përkohshëm, dhe të thoshin të pathënat.

Filozofi rus, Mikhail Bakhtin, thotë se edhe pse ky fenomen shoqëror u zhduk pas shekullit të gjashtëmbëdhjetë “shpirti karnivalesk dhe imazhet groteske vazhdojnë të jetojnë dhe janë transformuar në traditë të pastër lerare”.[2] 

[1] The Pre-Eminence of the Actor in Renaissance Context; Scott Mc Geehe. The Routledge Companion to Comedia dell’Arte, 2015. Fq, 10
[2] Denis Diderot, Rameau’s Nephew and First Satire (Oxford World’s Classics, translation Margaret Mauldon 2006), Introduction, xviii, Mikhail Bakhtin, Rabelais and his World.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore