Sport

‘Çohu dhe lufto’: Futbollistet shqiptare që kanë thyer tabutë


Emanuela Rusta ka luftuar me titujt mizogjenë për vite me radhë në skenën e futbollit shqiptar përpara se të bëhej gjyqtarja e parë femër ndërkombëtare në vend.

Ajo ka qenë një nga figurat kryesore që kërkon më shumë barazi në futbollin shqiptar, ku seksizmi i rrënjosur i ka mbajtur gratë mënjanë.

“Duhet të luftosh fort që të pranohesh”, ka treguar 29-vjeçarja.

Prej kohësh futbolli ka qenë një obsesion kombëtar, por gratë kanë filluar të depërtojnë vetëm kohët e fundit.

Kombëtarja e femrave garoi për herë të parë në vitin 2011, ndërsa Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) mbetet kryesisht e dominuar nga meshkujt me vetëm 2 mijë anëtare femra krahasuar me 22 mijë meshkuj.

E goditur nga dekada varfërie, sundimi autoritar dhe migrimi masiv, Shqipëria është përballur me një rrugë jo të lehtë drejt integrimit global që kur qeveria e saj komuniste u rrëzua në fillim të viteve 1990.

Shumë njerëz janë kapur pas traditave të tyre, duke përfshirë idetë e rrënjosura thellë për gjininë, veçanërisht në zonat rurale ku gratë kanë pasur më pak mundësi.

Por gjërat kanë filluar të ndryshojnë me gratë që punojnë gjithnjë e më shumë në poste drejtuese si gjyqtare, presidente universitetesh dhe duke luajtur një rol të madh në qeverisje.

Bota e sportit ka ecur ngadalë dhe turmat e zhurmshme e përleshjet e herëpashershme në ndeshjet e meshkujve nuk janë të rralla.

Por paçka pengesave, Rusta ka mbetur e patrazuar përballë titujve seksistë të mediave vendase.

Gjyqtari “nuk është çështje gjinie, por kompetence”, ka thënë Rusta, e cila ka arbitruar në një duzinë ndeshjesh ndërkombëtare në stadiumet evropiane dhe shpreson të zgjidhet për të punuar në Kupën e Botës për meshkuj.

“Për të marrë vendime të mira, duhet të dini rregullat e lojës në mënyrë perfekte, por gjithashtu duhet të jeni në gjendje të shkëlqyer fizike dhe të keni një kapacitet të madh për përqendrim”, ka shtuar ajo.

Për të mbështetur karrierën e saj, Rusta punon si mësuese e edukimit fizik në gjimnazin e qytetit të saj në Elbasan dhe stërvitet pasditeve.

Ajo shpreson të jetë kryearbitra e derbit të Ligës 1 Shqiptare mes dy skuadrave rivale kryeqytetase, Tiranës dhe Partizanit.

“Një gjyqtare femër zbut tensionet dhe normalizon situatën”, ka thënë analisti sportiv Andi Vrecani.

Historia e futbollit të femrave është e rrënjosur thellë në qytetin verior të Shqipërisë, Shkodrën, ku klubi Vllaznia bëri emër për herë të parë në vitin 2009.

Në vetëm pak vite, skuadra ka dominuar brenda vendit dhe ka vazhduar të luajë kundër skuadrave më të mira të Evropës, duke përfshirë Chelsea, Real Madrid dhe PSG në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve 2022-2023.

“Çelësi i suksesit të ekipit qëndron te vajzat, të cilat kanë arritur të thyejnë mitin dhe paragjykimin se futbolli është vetëm një sport mashkullor”, ka thënë presidenti i skuadrës, Lazer Matija.

Vendimtare për suksesin e tyre të fundit ka qenë sulmuesja 26-vjeçare Megi Doci.

Me origjinë nga një fshat i varfër në veri të Shqipërisë, Doci u mor me futbollin kundër dëshirës së nënës së saj dhe u transferua në Tiranë në moshën 12-vjeçare për të ndjekur pasionin.

Gjërat nuk ishin të lehta, edhe pse fitoi vlerësime mbresëlënëse, duke përfshirë çmimet për sulmuesin më të mirë dhe lojtarin më të vlefshëm.

“Kam rënë, kam vuajtur, kam qarë, më është dashur të mbajë lotët, por çdo herë kam zgjedhur të ngrihem dhe të luftoj”, ka treguar ajo.

Ajo shpreson të bashkohet me ekipin e femrave të Bayern Munichut ose Real Madrid në të ardhmen.

Doci stërvitet rregullisht katër orë në ditë me meshkuj, të cilët shpesh habiten nga prania e saj në fushë.

“Është një sfidë, ju mund të ndjeni peshën e këtij mentaliteti ende të pranishëm, sepse ata nuk janë mësuar të shohin një vajzë duke luajtur”, ka dalluar ajo.

Sakaq, të tjerë i kanë thyer  kufijtë teksa përballen me kërkesat e një karriere atletike me dëshirën për të krijuar familje.

“Kurrë nuk kam dashur të zgjidh mes karrierës dhe jetës sime personale, gjithmonë kam dashur të jem e lumtur te të dyja”, ka treguar Ardiola Raxhimi, nëna e një djali dy vjeçar.

Kreu i FSHF-së, Armand Duka, ka treguar se “futbolli i femrave është prioriteti” i organit drejtues, i cili shpreson të shohë rritjen e numrit të futbollisteve femra.

Por ai ka pranuar se barazia është shumë larg.

Lojtaret femra paguhen thuajse sa gjysma e lojtarëve meshkuj, me pagën e tyre mesatare që shkon vetëm 400 euro në muaj.

Dhe teksa shumë pengesa mbeten, Duka beson se rruga përpara ka marrë formë.

“Disa vite më parë, futbolli i femrave ishte pothuajse një tabu, sepse konsiderohej si një sport mashkullor.Ne e kemi fituar atë betejë”.

Marrë nga “AFP”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore