Biznes

Coca-Cola me shishe letre


Kompania amerikane e pijeve, Coca-Cola, në kuadër të përpjekjeve afatgjata për të eliminuar tërësisht plastikën nga paketimet e saj, do të testojë një shishe prej letre.

Agjensia e lajmeve, BBC, bën me dije se prototipi i shishes është ndërtuar nga një kompani daneze dhe është i përbërë nga materiali i një letre të fortë e cila përfshin edhe një shtresë së hollë plastike.

Ndërkohë, qëllimi i kompanisë është krijimi i një shisheje 100% të riciklueshme e cila nuk do të ketë përmbajtje plastike dhe që do të mundet të parandalojë daljen e gazit të pijeve të gazuara jashtë shishes.

BBC shkruan se pengesa kryesore qëndron në sigurinë që asnjë fibër të mos depërtojë në lëng pasi do të përbënte rrezik për ndryshimin e shijes së pijes dhe sigurisë së konsumatorit.

Kompania që fshihet pas shishes prej letre

Paper Bottle është firma daneze e cila po merret me zhvillimin e shishes prej letre për kompaninë Coca-Cola.

Sipas BBC, sfida kryesore e saj është krijimi i një strukture e cila të përballojë forcat e ushtruara nga pijet me gaz.

Nga ana tjetër, shishja prej letre duhet të ketë një formë të caktuar dhe të lejojë shtypjen me bojë të etiketës.

Firma është e gatshme që të organizojë një provë këtë verë në Hungari për pijen e frutave të quajtur Adez të kompanisë Coca-Cola.

Në mungesë të plastikës

Sipas menaxherit tregtar të firmës, Michael Michelsen, shishja formohet nga një copë e vetme e përbërë nga një material me bazë fibre të letrës duke siguruar që të formohet një objekt i vetëm.

“Me një kombinim të zgjuar të dizajnit të produktit dhe përzierjes së fortë të fibrave arrihet që shishja mos të thyhet nga presioni”, ka sqaruar menaxheri.

Meqënëse krijimi i shishes prej letre është prova e parë në jetën reale, po tregohet kujdes i veçantë te eliminimi i kontaktit mes lëngut dhe letrës.

BBC shktuan se sfida e CocaCola-s për të shmangur plotësisht plastikën pritet të mundësohet përmes vendosjes së një shtrese me bazë bimore në brendësi të shishes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore