Muzikë

“Çmimi i Ekselencës në Arte” nga Washington DC ndahet enkas për Baletin Kombëtar të Kosovës


Shfaqje e dhënë nga Baleti Kombëtar i Kosovës

Jo rrallë herë, emri i Baletit Kombëtar të Kosovës, lakohet nëpër medie për suksese të arritura në këtë sferë të artit.

Madje, një sukses të ri, BKK e ka korrur edhe së fundmi, teksa është nderuar me “Çmimin e Ekselencës në Arte” në Washington DC të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Baleti Kombëtar i Kosovës e fitoi këtë çmim me rëndësi të veçantë falë punës dhe arritjeve në fushën e artit, e të cilin e ndau Senati Amerikan.

Përmes një postimi në llogarinë e Facebook-ut, faqja zyrtare e Ministrisë së Rinisë, Kulturës dhe Sportit, ndau lajmin për fitoren e këtij çmimi.

Fotografi e publikuar nga BKK në Facebook.

“Jemi shumë të lumtur që SHBA po njeh punën, përkushtimin dhe vizionin artistik të  Baletit Kombëtar të Kosovës. Shpresojmë që të hapen rrugët e bashkëpunimit, ndërsa sukseset e mëtutjeshme të mos u mungojnë”, thuhet në postim.

Fotogafi e publikuar nga BKK në Facebook.

Ndryshe, me kërkesë të senatorit, z. Charles Schumer, flamuri amerikan u valëvit mbi ndërtesën e Kongreseve në Washington DC për nder të Kreshnik Musollit dhe Baletit Kombëtar të Kosovës.

Në anën tjetër, që prej lirimit e më pastaj dhe heqjes së masave anti COVID-19, BKK, është treguar mjaft aktive, sa i përket shfaqjeve të baletit.

“Sisters”, “Andërr”, “Entre dos Aguas” dhe “Troy Game”, janë vetëm disa nga shfaqjet e dhëna për artdashësit nga Baleti Kombëtar i Kosovës.

Ndryshe, me datë 24 qershor të këtij viti, pritet të jepet edhe shfaqja e baletit “Pristine Conditions”, vulën e koreografisë të së cilës e mban, Arthur Kuggeleyne, teksa për muzikën është përkujdesur, Christian Meyer.

Kopertina e shfaqjes së baletit – “Pristine Conditions”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore