Lajme

Çmimi Andersen: Presidentja Arkhipova jep dorëheqjen, akuzohet se është pro luftës ruse


Ilustruesja ruse, Anastasia Arkhipova, ka dhënë dorëheqjen si kryetare e jurisë së çmimit “Hans Christian Andersen”, i konsideruar si çmimi Nobel për letërsinë për fëmijë.

Dorëheqja erdhi pasi u akuzua për përfshirje në propagandën ruse kundër Ukrainës.

Arkhipova, 62 vjeçe, u zgjodh shtatorin e kaluar kryetare e jurisë nga Bordi Ndërkombëtar për Librat për të Rinjtë (Ibby) në Bazel.

Që nga zgjedhja e saj, Arkhipova ka qenë nën presionin e disa vendeve anëtare të Ibby-t për të hequr dorë nga pozicioni i saj për shkak të rolit të saj në Shoqatën e Artistëve të Rusisë, e cila ishte veçanërisht aktive në prodhimin e propagandës pro luftës.

Me një deklaratë, Ibby njoftoi se ka pranuar dorëheqjen e Anastasia Arkhipova, “e ndërgjegjshme për perceptimin e botës së jashtme”.

Komiteti Ekzekutiv i Ibby-t ka emëruar Liz Page, arkëtaren e organizatës, si presidente të përkohshme të panelit gjykues që do të japë çmimin në vitin 2024.

Liz Page është britanike dhe ishte e përfshirë në krijimin e bibliotekës rinore JuKiBu në Zvicër përpara se të emërohej presidente e Shoqatës së Bibliotekave Rinore Ndërkulturore në Zvicër.

Ibby shfrytëzoi rastin për të kujtuar se Anastasia Arkhipova u zgjodh në mënyrë demokratike presidente e jurisë për çmimin që do të jepet në vitin 2024.

Asnjë kundërshtim nuk është shprehur për nominimin apo zgjedhjen e saj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore