Muzikë

Çmimi “Albumi më i mirë vokal i Pop-it” në duart e Dua Lipës


Këngëtarja kosovare me famë botërore, Dua Lipa, ka fituar çmimin e Grammy’s për “Albumin më të mirë vokal të Pop-it” për vitin 2021 me albumin e saj, “Future Nostalgia” .

Lipa, arriti ta rrëmbente çmimin me peshë ani pse në nominimet për këtë kategori, përpos saj ishin edhe ikona e muzikës, Lady Gaga (Chromatica), Taylor Swift (Folklor), Harry Styles (Fine Line) dhe Justin Bieber (Changes).

“Faleminderit shumë, kjo është një çmenduri. ‘Future Nostalgia’ më ka ndryshuar jetën në shumë mënyra por një gjë që e kam kuptuar është se sa e rëndësishme është lumturia. Në fund të albumit tim të parë mendoja se duhet bërë muzikë të trishtë për të ndier se ajo ka rëndësi dhe jam mirënjohëse dhe e nderuar pasi që lumturia është diçka që të gjithë e meritojmë”, ka thënë Lipa pasi pranoi çmimin.

Dua, interpretoi këngën “Dont start now” në skenën gjigande të ceremonisë së Grammy’s, këngë kjo e cila po ashtu ishte e nominuar për “Regjistrimin/Incizimin më të mirë të vitit”.

“Future Nostalgia” u nominua si për “Albumin më të mirë vokal të Pop-it” ashtu edhe për “Albumin e vitit”, ndërsa producenti Andrew Watt – i cili punoi në këngën “Break My Heart” – fitoi për “Producentin e Vitit, Jo klasik”.

Ndryshe, Dua Lipa ishte e nominuar në gjashtë kategori për ceremoninë e Grammy’s 2021.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore