Lajme

Çmimet evropiane të gazit bien edhe më tej në periudhën e festave


Çmimet evropiane të gazit kanë rënë edhe më shumë, duke ndjekur trendin e kohëve të fundit ku moti i butë e ka frenuar kërkesën dhe furnizimet për gaz.

E përditshmja “Financial Times” tregon se ai ka rënë deri në 12 për qind në 84.90 euro për megavat orë pasi cisternat që transportonin gaz natyror të lëngshëm mbërritën në Evropë.

Në fillim të këtij muaji, këto anije u ridrejtuan nga tregtarët për të fituar para në çmime rekord, të cilat arritën mbi 180 euro për megavat orë në prag të Krishtlindjes për shkak të rënies së besimit në furnizimet shtesë ruse.

Analisti Alex Froley ka thënë se transportuesi i gazit LNG Rosenrot ishte larguar nga SHBA-të në një kurs për në Kinë, por në vend të kësaj ndryshoi drejtim dhe u nis për në Holandë.

“Moti i butë dhe rritja e flukseve të LNG-së kanë ndihmuar në uljen e çmimeve javën e fundit. Megjithatë, nëse ka periudha të motit të ftohtë në Evropë ose Azi në muajt e mbetur të dimrit, tregu mund të kthehet përsëri”, ka thënë ai.

Çmimi i gazit me shumicë në Mbretërinë e Bashkuar ka rënë me 10 për qind në 210 pens, duke i zgjeruar humbjet nga kulmi rekord i javës së kaluar prej 450 pens në më shumë se 50 për qind.

Por këtë vit, çmimet evropiane të gazit janë ende në rritje me më shumë se 350 për qind, duke rritur faturat e energjisë për familjet dhe industrinë në të gjithë kontinentin dhe duke shtuar presionet inflacioniste.

Analisti Kaushal Ramesh ka treguar se tregu në Evropë ishte më “i balancuar” si rezultat i të paktën 800 mijë tonëve LNG të shpërndarë në 11 cisterna që ridrejtoheshin nga Azia në Evropë.

“Devijimet e LNG-së nga Azia janë një masë e dobishme ndaluese, por nuk janë një zëvendësues i qëndrueshëm për furnizimet e qëndrueshme të tubacioneve”, ka vijuar ai.

Më shumë se një e treta e furnizimeve të BE-së me gaz vijnë nga Rusia nëpërmjet tubacionit, por këtë vit flukset hyrëse kanë rënë.

Gazprom në pronësi të Rusisë ka refuzuar të shesë vëllime shtesë në Evropë përtej atyre që mbulohen nga kontratat afatgjata.

Disa politikanë evropianë dhe ekspertë të industrisë kanë akuzuar Rusinë për ndalimin e furnizimit për t’i bërë presion liderëve të BE-së që të miratojnë gazsjellësin e ri të diskutueshëm Nord Stream 2.

Por Gazprom i ka hedhur poshtë vazhdimisht këto pretendime. Në fundjavë, kompania ka pohuar se akuzat për dërgesa të ulëta të gazit në BE për të manipuluar çmimet ishin “gënjeshtra”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore