Art&dizajn

Çmimet e pikturave në Kosovë dhe në botë


Shitja e pikturave vazhdon të jetë një burim i të ardhurave për artistët në mbarë botën. Ka piktura, që në tregun botëror shiten me çmime milionëshe.

Nëse iu ka rënë të shiheni ndonjëherë ankande pikturash në televizor, keni mundur ta vëreni se si fluturojnë shifra marramendëse.

Në Kosovë s’është krejt njëjtë. Çmimet janë të vogla. Pikturat nuk mungojnë – milionat po.

Një nga piktorët më të famshme në hapësirën shqiptare, Zake Prelvukaj dhe piktori i ri Blerim Tmava shpjegojnë për Albanian Post vlerën me të cilën shiten veprat artistike në Kosovë.

Prelvukaj, ligjëruese ne Fakultetin e Arteve, thotë se Kosova qëndron larg çmimeve të pikturës, të cilat variojnë nëpër botë.

“Ne jemi larg”, thotë ajo me shqetësim. “Madje shumë larg në krahasim me vlerën e shitjes së pikturave në botë”.

Sipas Prelvukajt, kjo ndodhë “sepse në Kosovë rrethanat për vlerësimin e tyre janë ndryshe”.

“Për dallim nga artistët tanë, artistët e huaj janë nën fokusin e koleksionistëve të ndryshëm e shumë prej tyre janë nën menaxhimin e ekspertëve botëror”, thotë ajo për Albanian Post.

Çmimi i një pikture mund të varet gjithashtu nga periudha kohore gjatë së cilës është krijuar.

Një pikturë e bërë në shekullin e 16-të ka dëshmuar të kushtojë shumë më tepër sesa pikturat artistike të ditës moderne, shkruan Orange Carton, faqja e famshme në internet e cila shet dhe bën vlerësimin e pikturave.

Listës së pikturave më të shtrenjta në botë i prinë “Salvator Mundi” e Leonado da Vincit që është shitur – e di, nuk e besoni – 450 milionë dollarë amerikan; më pas vjen ajo e Willem de Kooning e titulluar “Interchange”, e cila është shitur 330 milionë dollarë amerikan; kurse në vendin e tretë renditet “The Card Players” e Paul Cezanne e cila u shit rreth 250-300 milionë dollarë amerikan.

Piktori Blerim Tmava, i cili gjatë muajit janar prezantoni ekspozitën e tij “Përmes vijave”, tregon sa larg qëndrojnë me këto shifra, çmimet e pikturave në Kosovë.

Sipas Tmavës, në Kosovë vlerën e vogël të pikturave nuk e determinon veç mungesa e parave, por edhe mungesa e shijes.

“Pos standardit ekonomik, mungesa e përgjithshme e informacionit mbi vlerat e pikturave në vendin tonë mund të jetë një faktor tjetër që vështirëson shitjen e tyre”.

Milionat e pikturave që i përmendëm më lartë, tash kthehen në dhjetëra euro.

“Çmimet e pikturave tek ne fillojnë prej shumave minimale 50 euro, duke vazhduar kështu deri tek ato rreth 2000 euro”, tregon Tmava.

“Normalisht që ka raste kur shuma është akoma më e madhe, por edhe shitja e tyre është më e rrallë”, ka thënë Tmava.

Sipas “Orange Carton” disa faktorë të cilët ia rrisin vlerën një pikture janë: stili, kualiteti i punës, materialet e përdorura e mbi të gjitha emri i artistit.

The Card Players, 1890-92 by Paul Cezanne

Se emri i artistit është ndër komponentët më të rëndësishëm në përcaktimi e vlerës së një pikture e pohon edhe piktorja Prelvukaj.

“Patjetër që teknika, koncepti dhe mënyra e realizimit kanë impakt në shitje, por është piktura në tërësi ajo që e përcakton vlerën. Ndër komponentët e tjerë është edhe emri i artistit krijues si dhe dëshmia e suksesit të tij në rrugëtimin artistik”.

Pandemia ka ndikuar negativisht në shumë sfera të jetës. Kjo periudhë sipas piktorit Tmava efekt të njëjtë ka pasur edhe në art.

Sipas tij, kjo kohë ka ndikuar keq, duke zbehur interesimin rreth artit në përgjithësi, e sidomos pjesës së blerjes së pikturave.

Ngjashëm është shprehur edhe Prelvukaj e cila ka veçuar artistët e pavarur si “më të rrezikuarit nga kjo gjendje”, të cilët, sipas saj, e kanë problem të sigurojnë edhe të ardhurat bazike për ekzistencë.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore