Aplikacione

Clubhouse-i, version për pajisjet Android


Clubhouse, aplikacioni i bisedave audio, do të nisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës prezantimin e një versioni provë të aplikacionit për përdoruesit e Android-it të Google-it.

Agjencia e lajmeve, Reuters, tregon se kjo lëvizje vjen pas popullaritetit të madh që fitoi aplikacioni në fillim të këtij viti me përfshirjen në platformë të Elon Musk-ut dhe personazheve të tjerë të njohur.

Clubhouse-i deri më tani ka qenë në dispozicion vetëm për përdoruesit e pajisjeve Apple dhe marrja pjesë në bisedat e tij audio është me ftesë.

Kjo ka bërë që ne disa tregje si Kina, ftesat të kërkohen në masë sa që disa u ankanduan në tregjet online.

Përpos këtyre, gjatë kohëve të fundit popullariteti i aplikacionit rezulton që ka rënë ndjeshëm. Po ashtu edhe shkarkimet e tij nga përdoruesit e aplikacioneve.

Sipas Sensor Tower, kulmi i Clubhouse-it ka qenë në muajin shkurt kur arriti 9.6 milionë shkarkime. Mirëpo, ritmet nuk qenë të njëjtat për muajin mars kur ato ranë në 2.7 milionë.

Ndërkohë që në muajin prill nuk ka pasur më shumë se 900 mijë shkarkime të aplikacionit të bisedave audio.

Kjo rënie e menjëhershme ka ngjallur diskutime rreth qëndrueshmërisë afatgjate të aplikacionit dhe nëse kulmet e saj kanë qenë të lidhura ngushtë me kohën e kaluar në shtëpi të njerëzve gjatë bllokimeve të pandemisë.

Gjithsesi pritet që hedhja në treg e versionit për Android të ndihmojë në arritjen e më shumë përdoruesve të rinj në të gjithë botën. Kjo pasi pas hedhjes në tregun amerikan, pritet që versioni i ri të shtrihet edhe në tregjet e tjera të globit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore