Lajme

Çka tha Kurti në Intervistën e shumëpritur: Statutin e Asociacionit e shkruan ekipi i Rakiç’it, Martin Berishaj po sulmohet, Kushtetuesja e pati gabim…


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për herë të parë në një intervistë për Radio Televizionin Dukagjini, ka treguar se kush është ekipi që do ta shkruajë statutin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe që do të vetëmenaxhojë me serbët e Kosovës.

“Është e vërtetë që duhet të dihet mirë statusi i ekipit menaxhues para se ata të draftojnë statute për vetëmenaxhim. Këtë ekip e përbëjnë gjashtë veta, të cilët janë emëruar në shtatorin të vitit 2020 dhe vendimin për këtë e ka bërë Goran Rakiç”.

“Këta janë dy serbë nga veriu, dy nga jugu, shefi i OSBE-së dhe ministri i Administrimit të Pushteti Lokal. Ky ekip menaxhues do të duhej ta draftojë statutin e Asociacionit”, deklaroi Kurti, teksa shtoi se këtë çështje “do ta shqyrtojmë ditëve në vijim”.

“A do ketë Asociacioni vetëmenaxhues Kryetar dhe trupë tjetër udhëheqëse?”, u pyet Kurti, por nuk pranoi të flas. Ai e devijoi bisedën duke treguar se cili është dallimi mes vetëmenaxhimit, vetëqeverisjes dhe vetëadministrimit. Sipas tij, “vetëmenaxhimi” i përket nenit 7 dhe i referohet komunitetit serb, e jo komunave.

“Nuk është vetëqeverisje, është vetëmenaxhim. Realisht, edhe një organizatë jo-qeveritare vetëmenaxhohet, por vetëmenaxhimi nuk është çfarëdo organizate jo-qeveritare”, tha ai, megjithëse shtoi se është ende kundër “Zajednicës”.

“Vetëmenaxhimi i përket nenit 7, nuk thotë për komunat, por për komunitetin serb. Nuk i referohet serbëve në territorin ku banojnë, por në identitetin që kanë”, është shprehur kryeqeveritari.

Kryeministri Kurti në pjesën e dytë të intervistës ka folur edhe për qeverisjen e tij dy-vjeçare, ku ka përmendur të hyrat tatimore dhe deficitin buxhetor të vitit 2022 si “sukses” i qeverisjes së tij. Madje, ai ka akuzuar ish-kryeministrin Avdullah Hoti për keqqeverisje.

“Unë nuk jam kryeministër për vetën time. Më parë politikën e kam parë si betejë dhe përpjekje, sot më duhet ta shoh si program e shërbim. Në opozitë më shumë bën kritikë gjithmonë brenda vizionit, ndërkaq si kryeministër politika është më shumë shërbim dhe program. Mirë janë të dyja për mua”.

“Gjatë këtyre dy viteve është e rëndësishme të theksohet që ka shumëçka, por jo gjithçka. Jam i kënaqur me punën e qeverisë. Ekonomia e Kosovës është rritur, buxheti është rritur. Eksportet janë rritë shumë…”, shtoi Kurti.

“Jam duke e menaxhuar Qeverinë e Kosovës në ditët më të mira që janë bërë si rezultat i pikërisht kësaj qeverisje. Unë po flas me shifra ndërkaq, kush dëshiron të krijojë atmosferë negative le ta bëjë, unë po flas me fakte, po flas me të dhëna”, vazhdoi tutje ai.

Kosova, sipas përshtypjes së tij, para se të vinte në pushtet ka qenë “shtet i pronarëve”, ndërsa tash Kosova është duke u bërë e taksapaguesve, duke vazhduar akuzat për keqqeverisje ndaj “regjimit të vjetër”.

Ligji i hartuar nga Qeveria e Kosovës, respektivisht nga Ministria e Drejtësisë nën udhëheqjen e Albulena Haxhiut për Këshillin Prokurorial, të cilin Gjykata Kushtetuese e ka shpallur si anti-kushtetuese, për kryeministrin Albin Kurti, ka qenë ligj i mirë për të reformuar sistemin e drejtësisë.

“Albulena Haxhiu si ministre e drejtësisë, e ka për detyrë ta rishkruaj. Unë besoj që ai projektligj e që është bërë ligj, ka qenë i mirë, sepse kemi nëvojë për reforma në drejtësi. Unë besoj që ka qenë i mirë. Gjykata Kushtetuese nuk po beson që ka qenë i mirë ose i drejtë”, tha Kurti.

Sa ishte në opozitë, kreu i ekzekutivit i konsideronte të gjithë ata që e shkelin aktin më të lartë juridik si “super-kriminel” dhe rrjedhimisht kërkonte dorëheqjen e tyre, megjithatë ministrja Haxhiu, ani pse e ka shkelur kushtetutën nuk mendon të jap dorëheqje.

Nëse nuk ka mundësi të gjendet një formulim i cili i përfshin vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese për KPK-në, atëherë sipas Kurtit, duhet një vendim i ri politik dhe nëse është e mundshme të kryhet nga vetë Ministria e Drejtësisë.

Kryeministri Kurti, në këtë intervistë është pyetur edhe për Raportin e Departamentit amerikan të Shtetit, ku flitet për “korrupsion serioz” në institucionet qeverisëse dhe për skandalin financiar ku dyshohet të jetë i përfshirë Martin Berishaj, amabasador në Kroaci.

“Është thënë që korrupsion ka në shumë zyrtarë, tash thotë disa zyrtarë”, tha Kurti, duke komentuar Raportin e DASH-it, ndërsa për rastin e Berishaj theksoi se është “fushatë e orkestruar” kundër tij.

“Ai po e pret procesin të kryhet. Në këtë fushatë të egër që është zhvilluar për Martin Berishaj, në Kosovë, Serbi e në Slloveni, gjithashtu edhe për kryeministrin aktual, i cili e ka quajtur shpifje e shpikje. Është fushatë e madhe ku është edhe Serbia brenda”, potencoi ai.

Berishaj aktualisht po akuzohet nga Prokuroria Themelore e Kosovës për deklarim të rrejshëm të pasurisë dhe nga Prokuroria Speciale për shpëlarje parash derisa vazhdon të mbetet ambasador shteti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore