Lajme

Çka ngjau sot në Veri?


Bllokada në Veri

Rruga e qytetit në pjesën veriore të Mitrovicës vazhdon të jetë bllokuar nga kamionët e serbëve si shenje proteste ndaj aksionit të Policisë së Kosovës kundër kontrabandës së mallrave.

Njësitet e Policisë Speciale janë tërhequr pasi kanë përfunduar aksionin e nisur në ora 9 e mëngjesit të së mërkurës, teksa kanë arrestuar 8 persona, deri sa 10 zyrtarë policorë janë lënduar nga armët dhe granatat e dorës të hedhura nga serbët lokalë.

Për institucionet e Kosovës, ky aksion ishte i koordinuar me ndërkombëtarët, derisa për Bashkimi Evropian veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara, janë të papranueshme.

Ndërkaq krerët e shtetit të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, deklaruan se grupet kriminale nuk do të tolerohen dhe se lufta ndaj krimit të organizuar nuk e ka siglën e përkatësisë etnike.

Në anën tjetër, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, në garnizonin ushtarak të Rashkës, në prezencën e serbëve të Kosovës, me të cilët thirri takim urgjent deklaroi se “Faj kam unë që ju luta të mos e sulmoni ROSU-n”.

Sfelçla: Aksioni në Veri ishte i koordinuar me aleatët ndërkombëtarë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se rasti i aksionit në Veri të Mitrovicës kundër kontrabandës së mallrave, është koordinuar me aleatët ndërkombëtarë të Kosovës. Ai theksoi se aksioni në Veri të Mitrovicës është iniciuar nga një shërbim aleat.

Në një konferencë për media ka thënë se ky aksion nuk ishte i drejtuar ndaj ndonjë nacionaliteti të caktuar. Por sipas tij, ky aksion ishte “puro kundër kontrabandës që është një plagë që po kullon financa çdo ditë për shtetin dhe shoqërinë e varfër të Kosovës. Kjo plagë duhet të mbyllet”.

“Është një shërbim aleat që ka iniciuar këtë rast dhe kemi bashkëpunuar me ndërkombëtarët. Nuk bëhet fjalë për ndonjë aktivitet drejtuar komunitetit serb në Kosovë”.

“Ky operacion nuk është i drejtuar kundër asnjë nacionaliteti, është i drejtuar kundër kriminelëve që kanë kontrabanduar mallra ilegale në territorin e Kosovës. Nuk bëhet fjalë për ndonjë aksion represioni shtetëror ndaj askujt”, shtoi ai.

Aksioni në Veri: Policia dyshon se u rrodhi informacioni

Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, gjatë një konference të përbashkët me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sfeçla, ka thënë se dyshohet se ka pasur rrjedhje të informacionit lidhur me operacionin e Policisë në Veri.

“Dyshohet se ka pasur rrjedhje të informacionit, po hetohet kjo. Nga 9 lokacione në veri, tetë s’ka mundur të realizohet operacioni se qytetarët kanë penguar zhvillimin e operacionit”, tha Mehmeti.

“Totali i planifikuar për kontroll ka qenë në 26 lokacione të ndryshme, në Prishtinë, 6 në Pejë, 10 në Mitrovicën Jugut, 5 në Mitrovicën e Veriut në Zveçan”.

Cila është gjendja e policëve të lënduar në Veri, flet Komandanti i Njësisë Speciale për Albanian Post

Besart Ahmeti shefi i Njësisë Speciale të Policisë në Prishtinë, por edhe pesë kolegët e tij janë në gjendje të mirë shëndetësore pasi u lënduan gjatë aksionit të së mërkurës në veri të Kosovës kundër kontrabandës së mallrave.

Këtë e ka konfirmuar për Albanian Post Komandanti i Njësisë Speciale, Amir Gërguri.

“Vetëm lëndime të lehta trupore kanë marrë”, tha shkurt Gërguri.

Por, Gërguri nuk ka dhënë më shumë informacione se me çka janë goditur policët që kanë pësuar lëndime.

Ndërkaq, katër persona janë sjellë në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës, ku dy prej tyre janë lëshuar pas marrjes së trajtimit mjekësor.

Këtë për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësja e Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës, Mirlinda Qyqalla.

“Katër persona kanë ardhur të trajtohen në klinikën emergjente në Prishtinë dhe kanë marrë trajtimin që i është nevojitur në shërbimin emergjent të QKUK-së.

Kurti: Aksioni i policisë përfundoi, grupet kriminale nuk do të tolerohen

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se aksioni i policisë në Veri është bërë në kuadër të parandalimit të grupeve kriminale qe merren me kontrabandë.

Aksioni, që shkaktoi përsëri trazira në Veri, tashmë ka përfunduar thotë Kurti, derisa ka ftuar qytetarët që të mos bien preh e mediave të ndryshme në Serbi, të cilat janë në mbrojtje të krimit.

“Këto veprime policore janë paraprirë nga hetimet intensive dhe janë me urdhër e të bashkërenduara me prokuroritë dhe gjykatat kompetente. Janë sekuestruar mallra e dëshmi të tjera që paraqesin edhe prova materiale”, shkruan Kurti.

Osmani: Lufta ndaj krimit të organizuar nuk e ka siglën e përkatësisë etnike

“Lufta kundër krimit të organizuar është e paompromis dhe e panegociueshme. Të negociosh e të bësh kompromis me krimin është të bëhesh njëri prej tyre”.

Kështu e ka nisur reagim e saj në Facebook, Presidentja e Kosovë, Vjosa Osmani, pas aksionit të Policisë në Veri kundër kontrabandës së mallrave.

“Prandaj aksioni i sotëm i policisë dhe doganës së Kosovës, i autorizuar nga institucionet e drejtësisë, nuk mund të quhet “aksion në veri”, sepse ai ishte aksion në pjesë të ndryshme të Kosovës, ndaj personave të etnive të ndryshme, e që të përbashkëtën e kishte kontrabandën dhe krimin e organizuar”, tha Osmani.

Ambasada amerikane për Albanian Post: Dhuna në Veri e papranueshme, të zbatohet Ligji

“E gjithë dhuna, qoftë drejtuar autoriteteve, mediave apo civilëve, është e papranueshme dhe duhet të hetohet dhe ndiqet penalisht në masën e plotë të ligjit”.

Kështu e ka komentuar për Albanian Post situatën në Veri të Kosovës pas aksionit të Policisë së Kosovës për parandalimin e kontrabandës së mallrave, zëdhënësi i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Eric Brassil.

Borell për situatën në Veri: Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara, janë të papranueshme

“Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara që rrezikojnë stabilitetin janë të papranueshme”.

Kështu e ka cilësuar aksionin e Policisë së Kosovës në Veri të vendit për mallra të kontrabanduar, Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borell.

Sipas tij “incidentet e dhunshme” në Veri të Kosovës duhet të ndalen menjëherë.

“Të gjitha çështjet e hapura duhet të adresohen përmes Dialogut të lehtësuar nga BE. Ne jemi në kontakt me Beogradin dhe Prishtinën”, ka shkruar Borell në Twitter.

Aksioni në Veri: 6 policë lëndohen nga granata e dorës, mes tyre edhe komandanti i Specialëve, Besart Ahmeti (VIDEO)

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore