Lajme

Çka i ndodhi LDK-së? – Nga 700 mijë anëtarë në vetëm 100 mijë vota


Lidhja Demokratike dikur kishte 700 mijë anëtarë partie, kurse në zgjedhjet e fundit, ato të 14 shkurtit, votues ka gjashtë herë më pak.

110 mijë e 978 është numri i votave ë LDK-së tani – më së paku në histori të partisë më të vjetër në Kosovë.

Kjo rënie vjen pas 20 vjetësh prejse Kosova mbanë procese zgjedhore. Në këto dy dekada, mbi 12 vjet LDK-ja ka qeverisur, në forma të ndryshme dhe në funksione të ndryshme.

Ka udhëhequr me kryeministrin, presidencën, dhe dhjetëra ministri ndër vite dhe rezultati është – 13% elektorat në Kosovë.

Kështu LDK nga opsioni i vetëm politik i shqiptarëve paralufte, në opsionin kryesor të shqiptarëve paslufte dhe sot vetëm një nga opsionet.

LDK-ja ka një jetë politike të mbushur me ambiguitete ku personalitete që e ngrisin e dëmtojnë shumë më pas.

U ka ndodhur disa herë, radhazi. Goditjet, kryesisht kanë ardhur nga brenda. Vetë-faulime ndër vite që kanë rezultuar me humbje të elektoratit dhe paqartësi për të ardhmen. Nga rrugëtimi 30 vjeçar për ndërtimin e identitetit në dilemën më të madhe identitare.

Pas rezultatit të dobët zgjedhor, kryetari Isa Mustafa dhe e gjithë kryesia, kanë dhënë dorëheqje. Me 14 mars pritet të mbahet Kuvendi i Jashtëzakonshëm Zgjedhor dhe të zgjidhet kryetari e kryesia e re.

Se kush do të jenë emrat e ri, do ta diktojë përfundimisht nëse LDK megjithatë do të ketë një të ardhme, apo do të jetojë në të kaluarën e vet.

Por, çka e solli këtë rënie kaq të madhe – ku fillon ajo?

Historiku i LDK-së

Lidhja Demokratike e Kosovës u formua në vitin 1989. Ishte dimri i atij viti, kur një grup intelektualësh kishin vendosur të krijonin një grupim politik. Nga jashtë do perceptohej si parti politike, por nga brenda LDK do përbënte Lidhjen e shqiptareve dhe konkretizimin e aspiratave të tyre.

Shkrimtari dhe akademiku, Ali Aliu, që është një nga themeluesit e LDK-së, në një intervistë për Albanian Post, kujton se formimi i LDK-së ishte kryekëput produkt i preokupimeve të intelektualëve të kohës.

“Asokohe t’i hyje një aventure të tillë ishte vetëm një shqetësim intelektual për të bërë diçka të mirë, për të rezistuar sadopak, jo për ndonjë post, jo për ndonjë emër”, kujton Aliu.

Ali Aliu, shkrimtar, akademik dhe një nga themeluesit e LDK-së

“Ato ambicie u shfaqën shumë më vonë. Filloi virusi që është tash histori në vete”, pohon, me dhimbje, Aliu.

Pa ambicie personale, por kryesisht me një ambicie të përbashkët të grupit, LDK do pranohej gjerësisht nga shqiptarët në Kosovë.

Opsioni i vetëm politik serioz që përfaqësonte dëshirat dhe synimet shqiptare, do sillte një moment kur e gjithë Kosova përkiste LDK.

“LDK e mblodhi rreth vetes 90% të popullit”, thotë Aliu.

“Doli një grupim intelektualësh që i nxori nga partitë komuniste dhe i futi në një familje tjetër. Vazhdoi regjistrimi deri në 700 mijë anëtarë”.

Fuqia nuk kornizohej veç brenda kufijve të Kosovës. Shtrirja ishte po aq e madhe sa jehona e saj. Përveç se përbënte përbashkimin shqiptar, ishte edhe organizimi i parë i strukturuar si një subjekt politik modern dhe që funksiononte me parametra demokratikë.

Edhe për Nexhat Dacin, një nga figurat kryesore të partisë më vonë, LDK “ka qene krenari kombëtare”.

“Ishte parti e pare demokratike, parti e cila i ka grumbulluar shqiptaret kudo ku kanë qenë, në Mal të Zi në Maqedoni në Luginë”.

Nexhat Daci, akademik, nje nga figurat kryesore të LDK-së dikur

LDK do prekte zgjerim edhe më të madh, kur filloi shtrirjen dhe degëzimin nëpër shtetet ku jetonte diaspora shqiptare.

“Pas disa muajve, 5-6 muajve kemi pasur presion nga diaspora që të shkojmë t’i themelojmë degët në diasporë”.

“Në emër të kryesisë, kemi shkuar Bujar Bukoshi dhe unë. Në fillim në Zvicër, më pas në Gjermani, me javë me muaj kemi qëndruar atje që të themelojmë degët”, tregon Aliu.

Kështu do zhvillohej edhe hegjemonia politike e Lidhjes Demokratike. Quhej e Kosovës, por përqafohej gjithandej.

Edhe Lirije Kajtazi, tash Kryetare e Forumit të Gruas së LDK-së, kujton se ajo që krijoi atëherë LDK, mbetet e pashlyeshme edhe sot e kësaj dite.

“Është e pashlyeshme ajo kohë për arsye të ndryshimeve që kanë ndodhë edhe përtej nesh, përtej botës shqiptare, por mbi të gjitha është partia e parë demokratike edhe përtej Kosovës”.

Kjo ishte LDK-ja e paraluftës në Kosovë.

Por, më vonë, qëndrimi për rezistencë paqësore, veprimi me inerci në kohë lufte, pozicionimet e caktuara dhe lindja e partive të reja paslufte do krijonte kundërshtarët politik për LDK-në.

Çfarë ndodhi paslufte?

Paslufta do tregonte se LDK ka humbur një pjesë të përkrahjes, por assesi në sasi çfarë supozohej. Në zgjedhjet e para në Kosovën e çliruar, ato të vitit 2001, rezultati do befasonte. Të tjerë thirreshin për çlirimin e Kosovës, por votës së lirë do i gëzohej më së shumti LDK-ja.

Ibrahim Rugova me partinë e tij do mbeteshin të pakonkurrueshëm politikisht. Mbi 800 mijë qytetarë do votoni në zgjedhje, afër gjysma e tyre përzgjodhën LDK-në. Në Parlamentin e shtetit të ri, që për shqiptarët kishte 100 ulëse, 47 prej tyre i takonin LDK-së.

Kosova e pasluftës s’ishte terren i lehtë politik, gjithsesi LDK e menaxhonte. Por, mbase ishte kjo koha, kur do fillonte pa u ndjerë rënia, sepse ky menaxhim detyronte kompromis.

Lutfi Haziri, një nga figurat kryesore të LDK-së sot dhe kandidat potencial për kryetarin e ri të partisë, thotë se “pasluftës skena politike ka qenë e armiqësuar deri në vrasje që është paguar shtrenjtë nga funksionarët dhe udhëheqësit e LDK-së”.

Lutfi Haziri, nën-kryetar aktual i LDK-së, kandidat për kryetarin e ri

“Po një pajtim politik në proces cilësohej si imponim i sistemit zgjedhor karshi partisë së madhe në atë kohë kundër LDK-së, imponohej formulë qeverisëse edhe në administrimin ndërkombëtar të barabartë, pavarësisht rezultatit zgjedhor edhe në gjendjen post-independente, ishte interesi që deklarata e pavarësisë së Kosovës të shpallet bashkërisht me unitet dhe pa dallime”.

Por, ky unitet i kërkuar nga të tjerët dhe i pranuar nga LDK, mund ta ketë dëmtuar partinë.

Sipas Hazirit, “LDK-ja e ka paguar çmimin”.

Por, gjithmonë sipas tij, “krejt kompromiset tona në qeverisje dhe për qeverisje për gjitha partitë e kanë pajtuar Kosovën politikisht”.

“Kanë ndërtuar kulturë rivaliteti e jo armiqësisë”, thotë kryetari i Gjilanit nga LDK.

“Këtë çmim ne po e paguajmë shtrenjtë sot, por me vetëdije”.

Vdekja e Rugovës

Çfarëdo gabimi politik të kishte bërë LDK-ja dhe cilado të ketë qenë përformanca, as njëra as tjetra nuk do të ndikonin në të ardhmen e LDK-së më shumë sesa momenti krejtësisht apolitik, i vdekjes së kryetarit të partisë.

Ndarja nga jeta e Ibrahim Rugovës ishte preludë për skizmën e mëvonshme të LDK-së.  Qe i njëjti i vit që LDK detyrohej ta zëvendësonte me një tjetër figurë postin e kryetarit.

Kuvendi i përgjithshëm i partisë, që më vonë do pagëzohej si “kuvendi i karrigeve” do tregonte se mendësia e unitetit partiak kishte ikur bashkë me Rugovën.

Një nga protagonistët atëherë, Nexhat Daci, e kujton edhe sot me nota neverie ndodhinë e para 15 vjetësh.

“Ka qenë faqja e zezë e një procesi demokratik”, pohon Daci.

“Parapërgatitjet që i kanë bërë kanë qenë turp”, vazhdon ai.

“A dini çka? Në Ballkan, jo vetëm shqiptarët, janë shumë të etur të fitojnë, të grabisin diçka. Dhe mjerisht kanë sukses vetëm ata që nuk kanë asnjë karakter, asnjë meritë”.

2007-ta dhe kthesa e madhe kah PDK-ja

Zgjedhjet e ardhshme, ato të nëntorit 2007, do tregonin se në “kuvendin e karrigeve” ishte thyer diçka më shumë se thjesht ca kocka anëtarësh partie. Rezultati zgjedhore shpalosi se LDK-ja ishte përgjysmuar në përqindje dhe kishte humbur afër 200 mijë vota.

60 mijë prej tyre i kishte marrë Nexhat Daci me partinë e tij të re, Lidhjen Demokratike të Dardanisë. Më vonë, pas gati 10 vjetësh, LDD e Dacit do kthehej në parti, votat e humbura jo.

Kjo s’ishte hera e parë dhe s’do ishte hera e fundit kur LDK-së do t’i iknin njerëz, për të formuar grupe të tjera politike.

“14 grupe politike kanë dalë nga LDK-ja në historikun e saj”, thotë Lutfi Haziri.

“Grupe të pakënaqura që kanë themeluar parti dhe iniciativa dhe grupime politike”.

Kjo situatë e largimit të vazhdueshëm, “është bërë e pa përballueshme”, për LDK-në.

Por, rezultati i përgjysmuar elektoral nuk do të prodhonte befasinë e vetme atëkohë.

LDK-ja menjëherë pas zgjedhjeve, tash si partia e dytë dhe me kryetar Fatmir Sejdiun, do vazhdonte të qëndronte në qeveri, por në një koalicion me rivalin më të madh politik.

Bashkimi me PDK-në i kishte luhatur shumë përkrahës të LDK-së. Pak veta e kishin menduar ta shihnin partinë e tyre të bëhej bashkë me ata që jo pak kush brenda partisë i akuzonte për gjithçka.

Lirije Kajtazi, deputete në disa mandate nga LDK, arsyetohet se LDK-ja s’kishte si të operonte ndryshe, pasi që duhej kompromis me ato parti që ishin në Kosovë – “nuk kemi mund të huazojmë atje një parti prej CDU-së në Gjermani”.

Megjithatë, e pranon se koalicione të tilla me rivalë të përbetuar “kanë pasur kosto”.

Lirije Kajtazi, kryetar e Forumit të Gruas së LDK-së

Zgjedhjet e vitit 2010 do tregonin se 2007-ta nuk ishte veç një aksident elektoral.

LDK-ja në zgjedhje futje me kryetarin e ri, por pak dallim pati. Isa Mustafa e nxori partinë nga zgjedhjet me rezultat të ngjashëm me atë që e mori. LDK-ja ishte rritur për vetëm dy deputetë, në raport me zgjedhjet e kaluara. Për një parti me apetite të mëdha, diferenca prej dy deputetësh s’është se përbënte dallim të madhe kuantitativ.

LDK tashmë ishte betonuar e dyta dhe vota kishte rënë përfundimisht. Pas 10 vjetësh në pushtet, në funksione e koalicione të ndryshme, partia e Ibrahim Rugovës kalonte në opozitë.

Opozita pasive

Gjatë mandatit në opozitë LDK nuk është se bëri shumë. Në zgjedhjet e 2014 po futej me kryetar të njëjtë, përafërsisht kryesi të njëjtë dhe pak dallonin edhe kandidatët për deputetë të partisë. Duke qenë kështu, e pritshme se edhe rezultati afërisht i njëjtë do të ishte.

Qëndrimi në opozitë doli se e rriti diçka më shumë se 1% LDK-në. Megjithatë u ruajt vendi i dytë. Pas zgjedhjeve u provua të formohej një front opozitar kundër Partisë Demokratike të Kosovës, por planet u prishën nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

LDK më pas arriti marrëveshje me PDK-në dhe kështu rikthehej në qeveri pas vetëm një mandati. Tani, për herë të parë nga paslufta, i takonte edhe kryeministri. Punët e LDK-së dhe kryeministrit Isa Mustafa do eklipsoheshin shumë nga opozita e ashpër e Vetëvendosjes, Aleancës dhe Nismës. Mustafa do gjuhej me vezë. Në Parlament do hidhej gaz. Dhe tema e Demarkacioni e Asociacionit do ta dominonte totalisht diskursin publik.

Kështu do përfundonte edhe qeverisja e Mustafës pa u kuptuar fare se si qeverisi ai. Megjithë reklamën e keqe që iu bë Qeverisë Mustafa, LDK nuk humbi vota – por as nuk fitoi. Në fakt, në zgjedhjet e vitit 2017, LDK u rrit për 0.29 për qind, ose përkthyer në vota për diçka më shumë se 1000.

2018-ta do ta gjente LDK-në përsëri në opozitë.

Por, prapë, përkundër rënies në opozitë dhe mos rritjes së partisë, ndryshime nuk u bën. Novacioni i vetëm, që përbënte risi jo vetëm brenda LDK-së, por në përgjithësi në logjikën politike në Kosovë, ishte se kryetari i partisë nuk garoi fare për kryeministër.

Mustafa mandatoi Avdullah Hotin, derisa vetë u fokusua në menaxhimin dhe mbajtjen e balancave brenda partisë. Personalitete brenda LDK-së, si Vjosa Osmani e të tjerë, kishin shprehur qëndrime të kundërta me partinë dhe kjo përbënte reminishencë të 2006-së dhe mbase paralajmëronte një tjetër krisje.

Për disa ishin dallime konceptuale, të tjerë i konsiderojnë si thjesht shpërthime personalitetesh – jo e paparë kjo në LDK.

“Shpesh egot e njerëzve i kanë kushtuar shumë LDK-së, është e habitshme, si guxon dikush me u thirr në Rugovizëm ndërkohë që dëshiron me ecë në rrugë përmes trupash njerëzish, përmes shkeljeve, shkarjeve të ndryshme. Ata i kanë kushtuar LDK-së siç i ka kushtuar LDK-së pastaj si familje ta rrëfejë sjelljen e individit”, thotë Lirije Kajtazi, kur përshkruan qëndrimet e Vjosa Osmanit dhe largimin e saj nga partia.

2019’ta dhe humbja “për pak” e LDK-së

E gjithë historia do tregohej ndryshe sikur LDK-ja në zgjedhjet e vitit 2019 do fitonte 14 mijë vota më shumë.

Me Vjosa Osmanin si e mandatuar e partisë për kryeministre, konsolidimin e brendshëm dhe unifikimin e ri-gjetur, u duk se LDK pas 15 vjetësh do rikthehej në pozitën e parë.

Nuk ndodhi.

Haziri e kujton me dhimbje faktin që LDK humbi për kaq pak vota.

“Është dashtë shumë dekada të punojmë për një luftë politike që kulmoi me gjashtë tetor të vitit 2019, ku për 0.63 për qind nuk e mbërritëm ta rikthejmë pozitën e parë në Kosovë”.

Ky mos kapitalizim i momentit u kthye më pas në ndëshkim.

“Vetëm pak muaj pas saj LDK është ballafaquar me një goditje të votës ndëshkuese”, thotë Haziri.

Vota ndëshkuese erdhi meqë bashkëpunimi me Lëvizjen Vetëvendosje s’funksionoi as më shumë se dy muaj.

Historia me përçarje e dy partive që çuditërisht përfunduan bashkë, rezultoi me një krizë politike në mesin e një emergjence shëndetësore shkaktuar nga pandemia.

Shkak i krizës ishin dy partitë. Faturën – siç do tregonte rezultati zgjedhor – e pagoi veç njëra. LDK-ja.

“Ne kemi pritë që të ketë një zbehje të mbështetjes tonë për shkak të prishjes së koalicionit me Vetëvendosjen në kushte pandemie dhe ndërtimit i një lokacioni apo qeverisë të pakicës politike me partnerë tjerë, por jo në këtë shkallë drastike që LDK ja si çmim politik e pagoi edhe nga pamundësia që ta shpjegojë në kontakt të drejtpërdrejtë dhe forume”.

Përkundër se në kohë dhe rrethana krejt tjera, LDK përsëri shkonte në zgjedhje pa njeriun më të votuar të zgjedhjeve të kaluara.

Pas mospajtimeve të mëdha Vjosa Osmani u larguar për t’iu bashkuar Vetëvendosjes.

Qysh kur kishte lënë partinë Nexhat Daci në vitin 2007, Osmani ishte figura tjetër më e rëndësishme që braktiste partinë.

Për Dacin, Osmani bëri gabim, njëjtë sic kishte bërë ai dikur.

“Vjosa është e mençur, është e re, por nuk i ka shfrytëzuar ato veti dhe mos të tërhiqet. Edhe unë kam bërë të njëjtin gabim dhe nuk ia preferoj kurrkujt”.

“Sikur mos të largohesha unë sigurisht që kishte qenë tjetër rrjedhë”, beson Daci.

Ndryshe nga Daci, anëtarët aktualë brenda partisë, ende e shohin të pakuptueshëm veprimin e Osmanit.

“Ka ekzistuar një mënyra më e mirë e menaxhimit të situatës në të cilën ishte menaxhuar edhe egoja e Vjosës”, thotë Kajtazi.

“Megjithatë as një moment nuk e arsyeton veprimin e Vjosës që të tentoj të bëj demokratizim, apo siç e quan ajo, nga tabori kundërshtar”.

Për arsyet e largimit të Osmanit mund të ketë debat, por dëmi që pësojë LDK nga larimi i saj, është i padebatueshëm. LDK është 100 mijë vota minus krahasuar me zgjedhjet e kaluara.

Por, veç largimit të Osmanit, Ali Aliu thotë se ka edhe arsyeje të tjera për rënien e LDK-së.

Një nga to “mungesa e pjekurisë”, që ka treguar partia ndër vite.

Kjo mungesë pjekurie, sipas Aliut, ka ndikuar që udhëheqësit e LDK-së ta keqkuptojnë misionin e tyre brenda partisë.

“Ata që janë atje, duhet të shkoqen nga bindja që u duhet atyre partia. I duhet Kosovës ajo parti. Pa e menduar kështu, nuk mund të bëhen punë të mira”, thotë Aliu.

Këto punë të mira fillimin po pritet ta kenë në Kuvendin e ardhshëm të partisë.

Haziri thotë se LDK “po shkon drejt një kuvendi për herë të parë të jashtëzakonshëm dhe një kryetari që do të del nga ky kuvend”.

Ai pohon se kryetari i ri “duhet ta merr mbi vete rikthimin e madh të besimit dhe shpresës, njerëzit nuk falin më”.

E ardhmja në pikëpyetje

Shpjegimi për rënien e LDK-së nuk është një-dimensional.

Largimi i disa prej figurave kyçe në kohë të ndryshme; qëndrimi për shumë gjatë në qeverisje; mos-reflektimi në kohërat kur ishte në opozitë dhe aleancat e befasishme politike në të kaluarën, janë emëruesi i përbashkët për 13 për qindëshin sot.

Për të ardhmen rëndësi të madhe do të ketë nëse kryesia e re do të jetë veç një zgjatim i kuruar i asaj të vjetrës, apo do të përbëhet nga një formacion i ri, i cili do të krijojë distancë kritike nga e kaluara.

Derisa Kuvendi i Jashtëzakonshëm Zgjedhor po afron, ende nuk dihen saktësisht se kush janë pretendentët për kryetarin e ri të partisë së vjetër.

Ajo që dihet është se si kur vije puna te kryetari i LDK-së historia përsëritë vetën.

Qysh nga Ibrahim Rugova, në LDK kryetarin e ka zgjedhur një konjukturë e caktuar.

Elita.

Ka qenë më shumë vendimi i tyre, se sa i atij që është zgjedhur.

Ciklin duket se do ta prishë Kujtim Shala.

Ai s’do të zgjidhet, përkundër se të tjerët e duan.

Kjo mbase do mundësojë një garë – për herë të parë – të hapur mes dy protagonistëve të tjerë në LDK.

Lutfi Haziri dhe Lumir Abdixhiku dallojnë në gjenerata, por kanë përafërsisht të njëjtën prekje politike.

Të dy luftojmë më shumë për mesin e artë arritur me kompromis, se sa posedimin e të vërtetës, por me qëndrim ekstrem.

Kuvendi i ardhshëm do të nxjerr një nga këta të dy si trashëgimtar të partisë që të sigurt e ka veç të kaluarën.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore