Libra

Çka është miti serb për Kosovën?


Miti serb për Kosovën është një mit që ka mobilizuar nacionalizmin e egër serb gjatë historisë, mit ky të cilin shqiptarët në Kosovë e dinë më së miri, sepse e kanë përjetuar në format më të dhunshme, e veçanërisht në kohën e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë kur ky mit u përdor për të krijuar një rrëfim viktimizues të serbëve.

Krejt kjo shërbeu si një retorikë paranojake ndaj popullit shqiptar.

Përmes këtij miti dhe kësaj legjende folklorike e ideologjike serbe, e cila shërbeu për të legjitimuar regjimin gjenocidial të Millosheviçit, shqiptarët u portretizuan si barbarë, të padenjë për të jetuar në “Botën serbe”, të cilët “kanë uzurpuar tokat e shenjta serbe”, si “njerëz të vendosur nga Perandoria Osmane” në këto toka dhe që “kanë persekutuar serbët nga këto territore që nga Mesjeta”, për t’i përmendur vetëm disa.

Për fatin e keq të shqiptarëve, ky mit posedonte potencial dramatik të fuqishëm tek ata të cilëve u servohej nga maçineria që përpunonte dhe ringjallte mite dhe rrëfime të këtilla.

Profesori i Filozofisë Politike në Universitetin e Prishtinës, Blerim Latifi, për Albanian Post thotë se “miti serb mbi Betejën e Kosovës është fabrikim modern i fundit të shekullit të 19-të”.

“Dihet fare mirë se ky mit është sajuar për të përligjur pushtimin e Kosovës nga Serbia, pushtim ky përgatitjet e së cilës Serbia i kishte filluar mu në kohën e sajimit të mitit për betejën e Kosovës”.

Blerim Latifi, profesor në Fakultetin Filozofik në Universitetin e Prishtinës

Fatkeqësisht, thotë profesori Latifi, ky mit ka pasur sukses të depërtojë në historiografinë europiane.

“Ky mit është shpërndarë me sukses në historiografinë europiane dhe shqiptarët nuk kanë qenë të suksesshëm ta përgenjështrojnë atë. Si rezultat sot e kemi gjendjen në të cilën Kisha Ortodokse Serbe llogaritet faktor i rëndësishëm kur diskutohet për Kosovën”, shpjegon Latifi.

Origjinat e Mitit të Kosovës

Në lidhje me mitin e krijuar mbi Betejën e Kosovës të vitit 1389, historiani dhe diplomati i njohur Ylber Hysa për Albanian Post shpjegon se ky mit “është një shënjues thelbësor identitar serb i një miti që me shekuj ka mobilizuar nacionalizmin serb”.

“Si një ngjarje historike ajo përnga aspekti burimor është mjaft i mjegullt, por ka një potencial të fuqishëm dramatik—në betejë vriten 4 akterë kryesorë nga të dy anët e ballafaqimit, të kryqit me gjysëm-hënën në ngritje, përfshirë një Sulltan (Murati), një princ serb (“Car Llazari”), një atentator-hero Millosh (K)opiliqi dhe ku eleminohet konkurrenti, vëllau pretendent i Bajazitit, sulltanit të ardhshëm”, shpjegon Hysa,

Hysa thotë se kjo ngjarje si e tillë pastaj ka marrë dozën e saj ideologjike.

Ylber Hysa, ish-ambasadori i Kosovës në Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut, historian dhe punonjës shkencor.

“Si e tillë ngjarja ka tërhequr një inspirim epik që më vonë ka marrë qartazi shtytje ideologjike dhe që pastaj me mbështetje kishtare ka parë edhe elemente biblike në të: darka (e fundit) para betejës, pushteti hyjnor që zgjedh princi Llazar mbi atë tokësor. Dhe elemente të ndaluara dramatike mbi “tradhëtinë”e Vuk Brankoviçit, apo akuzat ndaj Millosh Kopiliqt nga baxhanaku Brankoviq, etj”, e shtjellon më tutje historiani Hysa.

Hysa për atë se si ky mit ka vijuar të zhvillohet më tej thotë se miti është rrumbullakësuar gjatë shekujve dhe se “ai mendohet të ketë marrë formën që e njohim sot vetëm pas shekullit të shtatëmbëdhjetë, dhe atë kryesisht e ka ngritur Rusia në kohën pas Ivan Grozni dhe kur carët rusë pertendonin “Romën e Tretë”, pas rënies së Konstandinopojës” por dhe kur në kisha ruse fillon portetretizimin e kultit të Lazarit si Car dhe që më vonë e mbartte edhe në Ballkan me qëllime mobilizuese anti-osmane.

“Mbledhësit e folklorit si Filip Vushnjiç i japin atij impuls gjithëpopullor, ndërsa Vuk Karaxhiç në shekullin e nëntëmbëdhjetë këtë epikë e ndërkombëtarizon pas botimeve në gjuhë evropiane”.

Miti i Vidovdanit

“Miti i Vidovdanit më vonë është qendror në përpjekjet e Serbisë për t’u pavarësuar nga otomanët me Karagjorgjen e Obrenoviçët, dhe pastaj gjatë përpjekjeve për zgjerim territoresh e iridentizëm në Luftërat Ballkanike, por edhe Luftën e Parë Botërore, që e shkaktoi atentatori serb Gavrilo Principi dhe “Dora e Zezë” mu në Vidovdan duke vrarë pretendentin e fronit Austro-Hungarez Franc Ferdinandin, që nxiti luftën më të madhe botërore që kishte parë njerëzimi”, shpjegon Ylber Hysa

Pikturë nga Urosh Prediç

Kështu, thotë Hysa, Vidovdani u shndërrua në mit zyrtar të nacionalizmit serb deri te paraqitja e famshme e Slobodan Millosheviçit në Gazimestan, që praktisht paralajmëroi atë që do të ndodhte në ish Jugosllavi – 4 luftërat të përgjakshme që u nxitën nga Beogradi në Slloveni, Kroaci, Bosnje e Kosovë.

“Është intersesant që Miti i Kosovës, dhe epika që e përcolli, pati refleksion edhe tek shqiptarët. Elementi  bartjes së kokës së prerë të Milosh Kopiliçit duke fluturuar mbi qiell, edhe nga studiuesi serb Ljubinkoviç u pa si një epikë e mit origjinal, që ai ia atribuoj ndikimit nga miti i princ Vlladimdrit nga shekulli nëntëmbëdhjetë i njohur në Elbasan e gjetiu”.

Në fakt, Hysa thotë se në shumicën e këngëve popullore epike por edhe në shkrimet e para historike të pas betejës gjatë shekujve pesëmbëdhjet e tutje, vërehen përzierje të dy betejave të Kosovës, asaj të Vidovdanit më 1389 dhe të Betejës së dytë të Kosovës nën Hunjadin, ku është dashur të marrë pjesë edhe Skënderbeu, por që nuk ka marrë pjesë

“Miti i Kosovës është një “histori” e mobilizuese me plot dramacitet që i ka mobilizuar serbët gjatë historisë, por që është keqpërdorur ideologjikisht gjatë historisë duke prodhuar telashe për ta e të tjerët”, përfundon historiani Ylber Hysa për Albanian Post.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore