Lajme

Çka është Forumi i Prespës – pjesëmarrjen në të cilën Kryeministri Kurti e anuloi?


Forumi i Prespës, 2021

Edhe pse Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka konfirmuar pjesëmarrjen në Forumin e Prespës që mbahet nga data 16 deri më 18 qershor në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ai megjithatë nuk do të marrë pjesë në të për një arsye të cilën e publikoi këtë të enjten pasdite.

Me arsyetimin se do t’i presë në takim veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të dëgjuar kërkesat e tyre, pas protestës që u mbajt gjatë kësaj dite e po vazhdon akoma, para Kuvendit të Kosovës.

Por, çka është Forumi i Prespës?

Forumi i Prespës është një platformë e krijuar nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut e cila ju mundëson vendeve, liderëve, organizatave dhe qytetarëve të ndërtojnë marrëdhënie me të mira me njëri-tjetrin bazuar në partneritet dhe fqinjësi të mirë.

Ky forum shihet si një vend për shkëmbimin e pikëpamjeve dhe ideve për zgjidhjet e mundshme të çështjeve të pazgjidhura, duke ndihmuar kështu qeveritë, institucionet dhe shoqërinë civile, të zbatojnë marrëveshjet e nënshkruara si dhe të ndjekin rrugën e përbashkët evropiane.

Përveç liderëve të Ballkanit, në këtë forum pritet të marrë pjesë edhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, Ministri i Jashtëm i Austrisë, Alexander Schallenberg si dhe i dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák.

Edicioni i dytë i Dialogut të Forumit të Prespës (PFD) 2022 do të mbulojë çështjet e sigurisë, si dhe çështjet politike dhe ekonomike me të cilat ballafaqohet Evropa dhe Ballkani Perëndimor.

Edhe pse kryeministri do të mungojë, Kosova nuk do të mbetet pa përfaqësim në këtë takim, pasi që presidentja Vjosa Osmani, tashmë ka udhëtuar për në këtë shtet ku do të mbahet forumi.

“Me ftesë të Presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, ka udhëtuar për në Maqedoninë e Veriut për të marrë pjesë në Forumin e Prespës për Dialog me temë: Formësimi i të ardhmes së Ballkanit Perëndimor në arkitekturën bashkëkohore evropiane të sigurisë, i cili i zhvillon punimet nga data 16 deri 18 qershor në Ohër”, njofton zyra për medie e presidencës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore