Lajme

Çitaku, Kurtit: Qasja aventureske e kombinuar me arrogancë mundet të na kushtoj shtrenjtë


Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës dhe deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, për pjesëmarrjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Forumin Global të Sigurisë në Bratislavë, ka thënë se mund të ketë pasoja të mëdha për vendit.

Pasi, sipas saj kjo është qasje me “arrogancë” në situatën që është aktualisht vendi.

“Qenka paralajmëruar që KM Kurti nesër do të jetë në Bratislavë në një panel me Lajçak, Gjukanoviç, Petkov”.

“Qasja aventureske e kombinuar me arrogancë mundet me na kushtu shtrenjtë”, ka shkruar ajo në rrjetin social ‘Facebook’.

Ajo po ashtu ka kritikuar pushtetin aktual për mënyrën e qeverisjes së tyre.

Çitaku, kritika ka pasur edhe për kryetarët e komunave nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje të cilët kanë refuzuar të takohen me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe atë të Bashkimit Evropian.

“29 Maj 2023, Kryetarët e Komunave nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje refuzojnë takimin me Ambasadorin e SHBA dhe atë të B.E”.

“Kjo në ditën kur të gjithë ishim dëshmitarë të pamjeve nga veriu i vendit, ku pjesëtarët e KFOR Amerikan ishin bërë murë i gjallë në mes turmave agresive dhe zyreve komunale. Ku jeni nisë more kështu?!”

Nga kryetarët ajo ka kërkuar që të shkojnë në takime të tilla dhe të ngritin shqetësimet që kanë.

“Qetësojuni. Ulni tensionet. Uluni dhe koordinoni hapat me aleatët tanë. Nëse keni shqetësime a pakënaqësi, thuajeni në takim”.

Kryeministri Albin Kurti, në kohën e tensioneve në pjesën veriore të Kosovës, të martën do të niset për në Bratislavë të Sllovakisë – mosnjohëse e pavarësisë së Kosovës – për të marrë pjesë në Forumin Global të Sigurisë (GLOBALSEC2023).

Kryeministri Kurti do të jetë në mesin e folësve të kësaj konference, e cila njihet si platforma më e dalluar në të gjithë rajonin e Evropës Qendrore dhe Lindore. Ai do të jetë folës në panelin me temën “Ballkani Perëndimor dhe rruga për në Bruksel”.

Gjithashtu, folës në këtë konferencë do jetë edhe Emisari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ish-Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç dhe ish-Kryeministri i Bullgarisë, Kiril Petkov.

Të hënën ka vazhduar tubimi i serbëve para objekteve komunale në veri të vendit për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj në zyra. Përveç njësiteve policore të Kosovës, një prani e shtuar e ushtarëve të KFOR-it – kryesisht amerikanë – gjendet para objekteve të komunave në këtë zonë të banuar me serbë etnikë.

Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar pasoja për Kosovën, pas përplasjes së serbëve të veriut me policinë, e cila të premten realizoi aksionin për t’ua mundësuar qasjen në zyra kryetarëve të rinj të tri komunave veriore – Leposaviq, Zubin-Potok dhe Zveçan.

Veriu në tension: Kurti me halle të tjera, shkon në Bratislavë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore