Lajme

Çitaku i përgjigjet Bislimit për marrëveshjen e energjisë: Faktet janë të njëjta, por tash jeni në qeveri


Nënkryetarja e PDK-së Vlora Çitaku dhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, të enjten deklaroi se marrëveshja me Serbinë për energjinë në veri ka pasur mundësi të anulohej në vitin 2015 e jo në vitin 2022.

Ai duke komentuar nënshkrimin e kësaj marrëveshje dhe duke ju përgjigjur kritikave se i kanë ndryshuar qëndrimit, u shpreh se “situata ka ndryshuar dhe jo qëndrimet e kryeministrit Albin Kurti”.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ajo ka thënë se qëndrimet ndryshojnë kur ndryshojnë faktet.

“ZvKM Bislimi, qëndrimet ndryshojnë kur ndryshojnë faktet. E faktet në marrëveshjen e energjisë janë të njëjta si me 2015 si sot”.

“E vetmja gjë që ka ndryshuar është statusi i juaj, atëherë keni qenë në opozitë, sot jeni në qeveri”, shkruan Çitaku.

Arrihet marrëveshja për Energjinë në Bruksel

Me 21 qershor, i dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak, përmes një njoftimi në rrjetin e tij social në Twtiter, ka lajmëruar se marrëveshja për energjinë në mes të Kosovës dhe Serbisë, është arritur.

“Me kënaqësi ju njoftoj se Kosova dhe Serbia sapo miratuan Udhërrëfyesin për Zbatimin e Marrëveshjeve të Energjisë në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ky është një hap i madh përpara”, ka shkruar Lajçak.

Marrëveshja e nënshkruar sot në mes të Kosovës dhe Serbisë në sektorin e energjisë thotë se Zyra e Rregullatorit të Energjisë do t’i lëshojë një licencë furnizimi Elektrosever, në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullative të Kosovës.

“Brenda shtatë ditëve nga lëshimi i licencës për furnizim, Elektrosever do t’i sigurojë KEDS-it dhe KOSST-it të dhënat më të fundit të disponueshme për konsumatorët”, thuhet në pikën e dytë të marrëveshjes së arritur.

Në anën tjetër Elektrosever, bazuar në marrëveshjen në fjalë është detyruar që brenda 10 ditëve nga lëshimi i licencës për furnizim të nënshkruajë marrëveshjet e nevojshme teknike me KOSTT-in dhe KEDS-in për të operuar në tregun energjetik të Kosovës, gjegjësisht marrëveshjen kornizë për pranimin e rregullave të tregut të energjisë elektrike me KOSTT-in, marrëveshjen mbi detyrimin e bilancit me KOSTT-in, marrëveshjen e kyçjes me KEDS-in dhe marrëveshjen komerciale me KEDS-in për ofrimin e shërbimeve të shpërndarjes (faturimi, arkëtimi, mirëmbajtja dhe lidhja fizike e konsumatorëve të rinj) në katër komunat veriore me shumicë serbe, sipas paragrafit 1 të artikullit 5 të Marëveshjes së 2013-s.

“Brenda 15 ditëve nga nënshkrimi i marrëveshjeve të nevojshme teknike me KOSTT-in, Elektroseveri do të marrë një kod identifikimi të energjisë (EIC) për të kryer aktivitetet e parashikuara nga furnizimi me licensë”, thuhet në pikën tjetër të marrëveshjes.

Njëra ndër pikat e marrëveshjes për energji thotë se në përputhje me pikën 14 të Marrëveshjes energjetike të vitit 2015, në afat prej 30 ditësh nga dhënia e licencës për furnizim, KEDS dhe KOSTT (nën lehtësimin e BE-së) do të kenë qasje në nënstacionin e Vallaq si dhe në infrastrukturat tjera të transmisionit dhe distribucionit.

Marrëveshja më tej detyron KOSTT dhe KEDS që brenda 45 ditëve nga lëshimi i licencës për furnizim, pas konsultimit me Elektrosever, t’i dorëzojnë ZRRE-së planin e investimeve, koston e kërkuar të mirëmbajtjes dhe humbjet e rrjetit, bazuar në shqyrtimin e plotë të infrastrukturës ekzistuese.

“Brenda 21 ditëve pas paraqitjes së planit të investimit dhe shpenzimeve të mirëmbajtjes së kërkuar për humbjet e rrjetit, ZRRE do të miratojë në parim planet, kostot dhe humbjet”, detyron pika e 7 e marrëveshjes.

Ujdia për energji e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, këtë të martë të 21 qershorit, njofton se në rast të mospërputhjes me dispozitat e këtyre konkluzioneve të rëna dakord pas 100 ditësh nga lëshimi i licencës së furnizimit, ZRRE mund të vendosë të pezullojë ose të tërheqë licencën e furnizimit të dhënë për Eletrosever, në varësi të konsultimit ndërmjet palëve, të lehtësuar nga BE-je, gjatë një periudhe maksimale prej 15 ditësh.

“Zbatimi i suksesshëm i udhërrëfyesit të rënë dakord është pa paragjykim ndaj detyrimeve të palëve për të zbatuar plotësisht Marrëveshjet e Energjisë nga 2013 dhe 2015”, konkludon marrëveshja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore